“Eh mor Zot qysh më erdhi e zeza” E moshuara invalide tregon sesi e grabiti gruaja që erdhi t’i kërkojë ujë

Në fshatin Zamë të Lushnjes, një grua në moshë dhe invalide, është grabitur nga një grua e cila i ka thënë 65 vjeçares se kishte ndaluar për të kërkuar pak ujë.

Jalldize Ibraliu, tregoi se gruaja në të 30-tat apo dyzetat hyri me makinën e saj dhe i tha 65 vjeçares se vinte nga Tetova. Dyshohet se gruaja i ka hedhur një substancë të moshuarës, duke e trullosur e vënë në gjumë. Më tutje, ajo ka mundur t’i grabisë 65 vjeçares një sasi parash prej rreth 13 milionë lekësh të vjetra.

“Hyri te porta, thashë mikeshë jo se nuk e njihja. Më tha vij nga Tetova, dua pak ujë. I thashë nga Tetova vjen për ujë ti, nuk kam mundësi unë. A nuk sheh si jam? Pa depozitën që ishte aty, mbushi ujë. Më tha dalim çik në diell, më tha të paskan bërë magji. E s’mbaj mend më asnjë gjë. Nuk e di ça më bëri. Më duket sikur ia kam dhënë me duart e mia. Kur mori kthesën poshtë, u mendova ça më bëri kjo grua, e shkova drejt e te lekët. I kam pas te një kasetë e vogël, se dinte asnjë vendin e tyre.

“Eh mor Zot qysh më erdhi e zeza, që isha gjys robi! O Zot i madh! Këtu te koka e krevatit poshtë i ka marrë lekët.”

E moshuara përlotet teksa shton se në mendje i është fiksuar sikur paratë ia ka dhënë gruas me dorën e saj.

Më është fiksuar sikur ja kam dhënë me duart e mia. (paratë) Offf oj nanë!

Para medias 65 vjeçarja thotë se autorja e grabitjes ishte “e gjatë, e dobët, e zezë në fytyrë edhe me veshjen me kostum sportiv, tuta”

Në kohën e vjedhjes ka qenë vetëm gruaja invalide në shtëpi, ndërsa burri i saj në punë. Kur ky i fundit ka ardhur, e shoqja i ka treguar ndodhinë. Burri më tutje ka denoncuar rastin në polici.

“Kur erdha në shtëpi rreth orës 8 të darkës, i thashë ça ke moj. Thashë mos e ka kap zemra, të lajmëroj ndonjë doktor. Më kanë vjedh lekët thotë, ça flet thashë. Shkoj atje unë, çdo gjë e mbaruar, s’kishte asnjë lloj shenje. E lashë me aq, bëra denoncimin, të shohim. Sipas kamerave që pamë, ajo ka ardhur, ka parkuar makinën te një shtëpi poshtë, duket qartë makina. Ka dalë rrugës në këmbë, ka ardh te një shtëpi tjetër prapë këtu ajo e ka përzënë. Edhe këtu ishin tremb kalamajtë. Shenjë dhune s’ka gruaja…”-tha i moshuari.

Autorja e grabitjes ende nuk është gjetur. Policia ka sekuestruar pamjet filmike në zonë për të zbuluar më shumë mbi ngjarjen e për të arrritur tek autorja.