Orët e gjata të kaluara në ekranin e celularit, kompjuterit apo televizorit po sjellin shfaqjen e problemeve të shikimit që në moshat e reja. Veçanërisht miopia duket se është një problem serioz që po prek para kohe fëmijët edhe në Shqipëri.
Ng rreth 55 mijë fëmijë në moshë shkollore që iu nënshtruan kontrolleve në 7 muajt e fundit në vend, më shumë se 7 mijë fëmijë rezultuan me probleme të shikimit. Me fjalë të tjera, më shumë se 10% e fëmijëve rezultojnë të kenë probleme me shikimin si pasojë e ekspozimit të gjatë me ekranet.
Këto shifra janë shqetësuese për mjekët, të cilët thonë se prej teknologjisë, miopia është kthyer në pandemi globale. Në Shqipëri, rastet e saj identifikohen që tek fëmijët në moshat nën 10 vjeç.
“Ajo që haset më shumë dhe është bërë proces i shqetësimit të gjithë profesorëve nëpër tavolinat e rrumbullakëta të kongreseve tona është miopia e shfaqur e parakohshme prej kalimit të kohës së gjatë të fëmijëve nëpër ekrane. Është një problem i refraksionit nuk quhet sëmundshmëri, por duket të jetë në kuadrin e një pandemie globale. Më përpara ne hasnim miopi mbi 10 vjeç tani në moshën parashkollore dhe këto janë shtuar me disa numra më shumë se dikur.”-tregon për Abc-në mjekja oftalmologe Alketa Ajazi.
Në këto kushte, mjekja ka një këshillë për prindërit.
“Fëmijët tanë, le ti afrohen fëmijërisë tonë. Sa më shumë në ambientet e jashtme, sa më shumë në hapësira të gjelbra duke mos e kushtëzuar syrin në një hapësirë të ngushtë si dhoma dhe ekrani i celularit.”
Miopia është defekti më i zakonshëm i syve dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, do të prekë gjysmën e popullsisë së botës deri në vitin 2050. Miopia tek adoleshentët ka marrë përmasa shqetësuese, veçanërisht në Azinë Lindore e Juglindore, ku kalkulohet se afro 80% e nxënësve në shkolla të mesme janë miopë. Shkallën më të lartë të miopisë tek të rinjtë e mban Singapori, i cili njihet dhe si ‘metropoli i miopisë në botë’. Në SHBA e Britani nga ana tjetër, përqindja e të rinjve që kanë miopi ka shkuar deri në 40%.
Në thuajse të gjitha studimet e kryera, mungesa e dëshirës së fëmijëve për të shpenzuar më shumë orë në natyrë është një ndër faktorët kryesore të fenomenit të miopisë.