Një 34 vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit nën një sërë akuzash, përfshi këtu dhe dhunën fizike ndaj të ëmës dhe të atit. Më datë 5 maj, Danjel Gaxhja ka rrahur nënën e babain si dhe i ka kërcënuar se do t’u merrte jetën përmes armës.
Me të mbërritur patrulla policore, 34 vjeçari ka dalë nga banesa dhe është fshehur në mal, në zonën e Shushicës. Autori tanimë është arrestuar, ndërsa në banesën ku fshihej në mal, i janë gjetur armë, municione dhe dinamit.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Befasia”, për kapjen e një shtetasi në kërkim.
Ushtroi dhunë ndaj prindërve të tij dhe i kanosi ata për jetën, në banesë, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari, i cili dyshohet se ka qëndruar i fshehur për disa ditë, në terrenin malor të fshatit Shushicë.
Më datë 05.05.2023, pas ndërhyrjes nga Policia, në banesë u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pako me dinamit dhe municion luftarak, që dyshohet se i posedonte 34-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u kap në fshatin Shushicë dhe u vu në pranga shtetasi:
D. G., 34 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Elbasan.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Më datë 05.05.2023, në fshatin Shushicë, shtetasi D. G., i cili ushtroi dhunë ndaj prindërve të tij dhe i kanosi ata me jetë, sapo konstatoi mbërritjen e shërbimeve të Policisë, doli nga banesa dhe u largua në terrenin e vështirë malor të fshatit, ku dyshohet se ka qëndruar i fshehur gjatë këtyre ditëve.
Pas ndërhyrjes nga Policia, gjatë kontrollit në banesë, u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri, 2 pako me lëndë të dyshuar dinamit, 1 kapsolle detonatore dhe municion luftarak, që dyshohet se i posedonte 34-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.