Elbasan: Edukatorja e kopshtit pezullohet pas akuzës se ka keqtrajtuar një 5 vjeçar me autizëm

Një tjetër rast i dhunës së fëmijëve, e kësaj here i një fëmije me autizëm, është denoncuar nga një familje në Elbasan. Prindërit e një 5 vjeçari kanë denoncuar një edukatore të kopshtit publik ku shkon i biri, se kjo e fundit e ka keqtrajtuar djalin.

Edukatorja është pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen O. B., 57 vjeçe, banuese në Elbasan, me profesion edukatore në një kopësht publik, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuan nga Autizmi. Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit.”-njoftoi policia.

Pas njoftimit për ngjarjen, ka reaguar dhe bashkia e qytetit e cila njofton se sipas denoncimit të prindërve, edukatorja ka nxitur fëmijët të reagojnë ndaj të miturit i cili “herë herë shfaq hiperaktivitet dhe sjellje te dhunshme”.

Reagimi:

Lidhur me njoftimin e bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit për hetimin në gjendje të lirë të një edukatoreje në një nga kopshtet publike të qytetit bëjmë me dije se:
Rasti është referuar nga prindërit në 26 tetor pasdite, kur sipas tyre, fëmijët pretendojnë se edukatorja i ka nxitur të reagojnë ndaj 5-vjeçarit autik, i cili herë herë shfaq hiperaktivitet dhe sjellje të dhunshme. Menjëherë në datën 27 tetor (e premte) prindërit janë mbledhur nga drejtoria e kopshtit së bashku me përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në Bashkinë e Elbasanit për të diskutuar rastin.
Menjëherë të hënën, në datë 30 tetor ndaj edukatores është marrë masa e pezullimit deri në zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur në kopsht.
Më pas një grup pune i përbërë nga psikologë, punonjës socialë, përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në bashki, sektori i mbrojtjes se fëmijëve, përfaqësues të ZVA dhe përfaqësues të policisë është ngritur për të hetuar rastin. Duke qenë se fëmija ka problematika të spektrit autik rasti kërkon kujdes të veçantë dhe mbikëqyrje të psikologëve.
Ndërkohë edukatorja vijon të jetë e pezulluar deri në sqarimin e situatës.