Mëse 10 ditë pasi qëndroi në koma dhe pa asnjë shpresë shpëtimi, ky vogëlush del për herë të parë nga dhoma e spitalit në Tiranë. Për herë të parë në dy javët e fundit, ka dritë shprese për Elvin 10 vjeçar.
Kjo sepse brenda 48 orëve, u bën mijëra e mijëra lutje për të, e mijëra e mijëra kontribues u bashkuan për t’i ardhur në ndihmë. Tanimë ka ardhur momenti, që Elvi të niset për kurim të specializuar drejt Italisë fqinje.
Në dalje të spitalit, lotët s’mund të mbahen. Familjarët janë mbledhur, teksa Elvi dhe aparaturat që e mbajnë në frymë lëvizin drejt autoambulancës. E pamja më e dhimbshme është e babait të Elvit. Për pak orë, gjatë udhëtimit drejt Italisë, ai nuk do të mundet dot të jetë pranë të birit (i cili udhëton me avion spitalor së bashku me nënën). Edhe pse Iliri do të niset drejt Italisë me avion me pasagjerë, ajo mungesë prej pak orësh, e bën të vuajë. S’mundet dot të qëndrojë larg të birit…
Pak para nisjes drejt aeroportit “Nënë Tereza”, Iliri puth të birin. Për herë të parë sheh dritë në fund të tunelit.
“Elvushi i babit…(e puth) shpirt, do t’ja dalim o bab. Me ty do të jetë babi”-thotë Iliri, teksa ambulanca bëhet gati të niset.
Për pak momente, Iliri qëndron në xhamin e pasëm. Derdh lot teksa sheh të birin ende në koma, teksa kujton të gjitha ditët e vështira… por tanimë, me shpresën në Zot, do të vijë lehtësimi edhe për shpirtin e tij të drobitur.
Ambulanca niset. Parametrat e Elvit janë stabël. Falë Zotit mund të përballojë fluturimin. Në krah veç stafit mjekësor është nëna. Në pistën ku pret avioni spitalor, gjithçka është gati. Pak para nisjes, nëna puth të birin. Me siguri në mendjen e saj janë lutjet e lotët, shpresa se tanimë gjithçka do të marrë tjetër drejtim.
Nuk vonon shumë dhe Elvi tanimë ndodhet në avion. Gati për t’u nisur. Kësisoj, avioni ngrihet nga toka jonë drejt Italisë fqinje, në Romë.
E neve nuk na mbetet tanimë, veçse të lutemi, që gjithçka të shkojë mbarë e mirë për këtë vogëlush 10 vjeçar.