“Enea ishte i dashur me të gjithë, Zoti i dhëntë forcë familjes” 17 vjeçari shqiptar humb jetën në aksident në Greqi

Një 17 vjeçar shqiptar me origjinë nga Pogradeci, ka humbur jetën në një aksident të rëndë në Kavala të Greqisë fqinje. I mituri i quajtur Eena Topi udhëtonte me motor së bashku me një tjetër person, kur ka humbur kontrollin e mjetit dhe është futur në rrotat e një kamioni plehrash të bashkisë së qytetit. Përplasja ka qenë fatale për 17 vjeçarin.

Lajmi për humbjen e tij ka tronditur banorët e zonës, miqtë dhe familjarët e të miturit. Stafi arsimor i shkollës ku mësonte adoleshenti shprehu ngushëllimet dhe dhimbjen e thellë për humbjen e të riut, i cili po ashtu luante futboll.

“Një fëmijë i lumtur, i dashur nga të gjithë, sportist, lojtar i ekipit të futbollit të shkollës sonë. Zoti i dhëntë kurajë familjes”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Ekipi i AO Kavala përcolli një njoftim duke thënë se“me pikëllim të madh mësuam për aksidentin e heroit tonë të vogël Enea Topi. Një prej lojtarëve që luftoi fort vitin e kaluar për ekipin tonë, duke na mësuar se çfarë do të thotë dinjitet dhe dashuri vetëmohuese për qytetin dhe A.O. Kavalën. Urojmë me gjithë zemër kurajo dhe forcë për familjen e tij që u nda kaq papritur dhe para kohe nga Enea… të qoftë i lehtë dheu, udhëtim të mbarë mes ëngjëjve Enea”

Trupi i të riut pritet të sillet në vendlindje, për t’u përcjellë për në banesën e fundit ditën e enjte (nesër).