“Për fat të keq, Jasmina është diagnostifikuar me leuçemi akute… i thashë doktoreshës, hiqma kurrizin tim, e shpëtoma vajzën. Për mua Jasmina është lule…edhe në emër të Zotit (qan), vajza do ta kalojë, në emër të Zotit vajza do të kthehet sërish këtu.”
Këto ishin fjalët e Emin Nezirit, një babai nga Kosova i cili u sprovua rëndë me sëmundjen e vajzës së tij të parë, Jasminës 20 vjeçare.
Ishte fillimi i këtij viti kur Emini iu drejtua me përgjërim e lutje për ndihmë bamirësve, përmes “Shqiptarët për Shqiptarët”. Jasmina e prekur nga leuçemia akute kishte nevojë urgjente për t’u dërguar për kurim jashtë shtetit.
E kështu u bë. Brenda një kohe rekord, mijëra e mijëra shqiptarë bamirës iu bashkuan misionit për të ndihmuar Jasminën. 20 vjeçarja u nis për kurim në Turqi, ndërsa tanimë, ka disa lajme të gëzueshme.
Pas disa muajsh trajtime, Jasmina është kthyer në atdhe. Jasmina është në gjendje të mirë, do të vijojë ende trajtimet në rrugën drejt shërimit të plotë.
Ende e plogësht nga trajtimet, Jasmina përlotet kur shkel në Kosovë, derdh lot gëzimi në pritje të takimit me të gjithë të afërmit e saj.