“Erdhi si kamikaz, mori 4 vetë përpara” Dëshmitë, si ndodhi aksidenti me disa të plagosur në Prrenjas

Një aksident i rëndë ndodhi këtë të martë në rrugën Prrenjas- Qafe Thanë, atje ku të paktën 4 persona të një familje mbetën të plagosur pasi u goditën nga një makinë që drejtohej nga një 44 vjeçar nga Peshkopia.

Mes të plagosurve ishin tre motra, 23 vjeçe, një tjetër 10 vjeçe dhe një 6 vjeçe. Vajza 23 vjeçe është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kome, ndërsa dy motrat e tjera po ashtu ka pësuar fraktura e lëndime.

Familja me 6 anëtarë kishte ndaluar në ambientet e një lokali në anë të rrugës, në momentin kur një automjet ka ardhur me shpejtësi dhe ka ‘fluturuar’ mbi kokat e tyre. 23 vjeçarja është zënë poshtë mjetit. Veç vajzave në aksident u përfshi i ati, emigrant i cili ishte kthyer në Shqipëri si dhe gjyshja.

E moshuara foli për Tch duke treguar se këmbën e ka në allçi, ndërsa në atë zonë kishin ndaluar për t’u takuar me familjarë pasi kishte ditëlindjen vajza e vogël.

“Këmbën e kam në allçi, brinjët dhe duart më janë dëmtuar. Kishte një ditëlindje çupa e vogël. Shkuam atje ne, sa u takuam ndodhi ajo që ndodhi, nuk mbaj mend më gjë prej aty. Erdhi i pirë ai, këta thonë kështu, po ku e pashë unë, se makina më kishte zënë sipër edhe mua edhe vajzën”– u shpreh e moshuara.

Një tjetër familjar tregoi se makina që i mori përpara katër të afërmit erdhi me shpejtësi.

 “Erdhi si kamikaz, u bë katastrofë, të plagosurit njëri mbi tjetrin.. U ula të pija një kafe sa të vinte dhëndri. Më tha do pres gjyshen dhe do ikim te motrat. Sa hipi në makinë, vjen një Golf me shpejtësi, direkt makina u spostua dhe i mori para të katërt këta. Katastrofë çfarë të shikoje, njëri përmbi tjetrin. Si ato që bëjnë kamikazët. Nuk ka mundësi të ketë qenë defekt i makinës, ka qenë i pirë. Ka pasur aq shpejtësi, mbi 200 km në orë. U mblodhën shumë njerëz, erdhi ambulanca. Vajza e madhe është operuar në Tiranë, e vogla ka këmbën në allçi. Turp i Zotit që në Librazhd nuk kishte as një fasho”.-tha familjari.

Policia kreu një test të alkoolit mbi 44 vjeçarin i cili keu aksidentin dhe rezultoi se ai ishte në gjendje të dehur në momentin që ka përplasur familjarët.