“Akush nuk pret prej tyre që të dalin nga grupi, por mungesa e presionit mund t’i bëjë të rrezikshëm nëse kundërshtarët e marrin për të mirëqenë fitoren ndaj tyre”
Kështu shkruan Reuters në një artikull dedikuar pjesëmarrjes së kombëtares së Shqipërisë në Euro2024. Gazetari i Reuters bën një prezantim të kombëtares sonë të futbollit, e cila përballet në Euro24 me skuadra të nivelit të lartë si Spanja, Kroacia e Italia.
Por pavarësisht grupit që dukshëm nuk e favorizon daljen e Shqipërisë nga grupi, Reuters vë në dukje se kuqezinjtë do të mund të luajnë pa presionin që do të kenë lojtarët e kombëtareve të mëdha. Një tjetër element në favor të kuqezinjve, do të jetë nënvlerësimi që mund të kenë kundërshtarët e saj, vë në dukje Reuters.
“Shqipëria ka humbur të katërta përballjet e saj të mëparshme me Italinë ndërsa me Spanjën ata kanë humbur 8 ndeshjet e luajtura, kurse me Kroacinë do të luajnë për herë të parë.
Kur dolën emrat e ekipeve për kualifikueset në Euro24, Polonia pritej të kalonte kollaj, mbase me Çekinë e cila do t’i vinte në vështirësi. Por ishte Shqipëria ajo që doli më e forta. Të qenit si “të pafavorfshmit” duket se u përshtatet kuqezinjve.
Askush nuk do të presë që ata të dalin nga grupi dhe mungesa e presionit mund t’I bëjë ata të rrezikshëm për cilindo që do ta marrë si të mirëqenë fitoren ndaj tyre”-shkruan Reuters.
Në lidhje me trajnerin Silvinjo, Reuters shkruan se ai ka arritur të bëjë një kthesë të madhe.
“Që nga debutimi i tyre historik në vitin 2016, Shqipëria ka humbur kualifikimin në Euro të fundit së bashku me dy Kupat e Botës, por nën drejtimin e trajnerit të ri Sylvinho, është bërë kthesa. Në vitin 2022, Shqipëria shënoi vetëm një fitore në 11 ndeshje. Sylvinho mori drejtimin në fillim të vitit 2023 dhe skuadra fitoi 5 nga 9 ndeshje, duke humbur vetëm 1 herë.
Trajneri mori kolegët, brazilianin Doriva dhe argjentinasin Pablo Zabaleta për të punuar së bashku. Ata vendosën të gjenin lojtarë që i përshtateshin stilit të tyre të lojës. Jasir Asani është një nga ata futbollistë, në krahun e djathtë dhe me goditjet e tij të forta me këmbën e majtë, ai është paraqitur në çdo ndeshje që nga hyrja e Sylvinhos dhe ka shënuar tre gola në kualifikuese.
Shqipëria do të shpresojë të kapë në befasi Italinë në ndeshjen e parë të grupit B. Shumë lojtarë të kuqezinjve njihen me kundërshtarët e tyre. Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Berat Djimsiti, Elseid Hysaj, Ylber Ramadani, Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli luajnë të gjithë klube në Serinë A.”-shkruan Reuters.