“Pengu më i madh është fëmijëria ime…”
Këto janë fjalë që dalin nga goja e një 16 vjeçari që sot e gjen veten të shtruar në spital, me sëmundjen e leuçemisë që po i merr jetën dalëngadalë.
Amarildo rrëfen për emisionit “Për Shqiptarët” se ai nuk e shijoi dot kurrë fëmijërinë e tij, sepse duhej të kujdesej për dy vëllezërit e vegjël, Marjanon e Ledianin.



Me lotët që i rrjedhin prej syve të lodhur në jastëkun e bardhë të spitalit, 16 vjeçari rrëfen se ndihmoi nënë e babë duke u kujdesur, gatuar e shoqëruar vëllezërit. Me zërin që i dridhet, Amarildo thotë se këto ishin kushtet, se nëna e babai punonin për të nxjerrë bukën e gojës.
“Kam patur një fëmijëri shumë e dhimbshme. Plot sakrifica, plot vuajtje. Kemi jetuar në një dhomë për shumë vite. Duhet të kujdesesha për vëllezërit, t’i çoja në shkollë, t’i gatuaja. Që të vegjël i kam dashur shumë, i kam rritur. Mami e babi nuk kishin mundësi sepse shkonin në punë. Ka qenë shumë e vështirë për ne. Unë fëmijërinë nuk e kam shijuar, ishte e paarritshme për mua të luaja si shokët e mi.”-thotë Amarildo.