Fier: 19 vjeçari humb jetën pas sherrit me thika, plagoset 20 vjeçari që ndërhyri për të shuar konfliktin

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në bulevardin ‘Jakov Xoxa’ të Fierit, atje ku një 19 vjeçar është goditur me thikë pas një konflikti për motive banale me një 18 vjeçar.

19 vjeçari me inicialet G.B ka ndërruar jetë në spital. Në ambientet e spitalit të Fierit është paraqitur dhe një 20 vjeçar i cili ka tentuar të parandalojë konfliktin mes viktimës dhe autorit. Ky i fundit është identifikuar dhe arrestuar nga policia.

NJOFTIMI I POLICISE:

Rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, shtetasi F. M., 18 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.

Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi O. S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin F. M, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.