Fier: Çifti i të moshuarve goditen me grushte nga 47 vjeçari, flasin fqinjët e të afërmit

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e të dielës në Fier, ku një 47 vjeçar ka rrahur një çift të moshuarish në fshatin Povelçë.

Ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të një dyqani ushqimor, ku autori Ilir Nukaj goditi me grushte fillimisht 80 vjeçarin Namik Rustemi e më tutje bashkëshorten e tij 77 vjeçare.

80 vjeçari përfundoi në spital, ku aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë (i intubuar). Mbi ngjarjen e rëndë foli një familjare e çiftit të të moshuave, e cila tha se burrë e grua nuk kishin asnjë konflikt me 47 vjeçarin. Gruaja tregon për Neës24 se autori ka qenë në gjendje të dehur kur ka goditur dy të moshuarit.

“Nuk e pamë ngjarjen. Ne ishim në punë. Na kanë marrë në telefon dhe na kanë njoftuar fillimisht e ka shtypur makina, me një fjalë për të mos na tronditur. Kur erdhëm këtu pyetëm dhe na treguan, i ka goditur një person. Konflikte ata nuk kanë patur. Ai (autori) ka qenë i pirë, i dehur. Ka qenë problematik. Pleqtë nuk kanë patur konflikt me atë. Ata kishin dyqan dhe punonin vetë, fëmijët i kanë në emigrim, 4 djem e një çupë, vetëm njëri është këtu.”-tha familjarja e të moshuarve.

“Pashë vetëm atë që ishte i shtrirë gjatë e gjera (të moshuarin). Dëgjova zhurma nga e moshuara që po dhunohej, po bërtiste. Në gjendje më të rëndë ishte 80-vjeçari. Ambulanca dhe policia erdhën, iu dha ndihma”, shprehet ajo.