Fier: Të paktën 19 punonjës të një kompanie përfundojnë në spital me shenja intoksikimi

Të paktën 19 punonjës të një kompanie koreane në Fier, kanë shfaqur shenja të lehta intoksikimi dhe i janë drejtuar spitalit rajonal të qytetit, që prej mbrëmjes së djeshme.

Nga dyshimet e para, mendohet se helmimi mund të ketë ardhur si pasojë e përdorimit të një substance kimike gjatë një procesi të ri të punës atje. Punëtorët që kanë shkuar për ndihmë mjekësore në spital, kanë shfaqur shenja të acarimit të lëkurës dhe dhimbje fyti.

Siç raportoi zyrtarisht policia, mbrëmjen e djeshme kanë shkuar për vizitë 8 persona, ndërsa këtë të enjte 11 punonjës të tjerë që kanë shfaqur shenja të intoksikimit.

Nëndrejtori i spitalit në Fier Erblin Dollaku tha se shenjat e shfaqura janë të lehta dhe asnjë prej pacientëve nuk rrezikon.

11 punonjëset u transportuan drejt urgjencës me mjetet private të firmës e cila vijon punën pavarësisht situatës.