Fier, vritet me armë zjarri një 41 vjeçar

Një vrasje ka ndodhur paraditen e të enjtes në Fier. Viktimë mbeti një 41 vjeçar i identifikuar si Elton Javori. Ngjarja ndodhi në lagjen “16 prilli”, ndërsa rrethanat mbeten ende të paqarta.

Në informacionin e saj zyrtar, policia theksoi se autori i dyshuar është identifikuar.

“Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi Elton Javori, 41 vjeç, banues në Fier. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit“, tha policia.

Në lidhje me rastin ka reaguar dhe kreu i policisë së shtetit Muhamet Rumbullaku, i cili u pyët nga gazetarët gjatë një konference për mediat.

 “Janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorit. Po punohet për sqarimin e rrethanave dhe motiveve që kanë çuar me këtë ngjarje të rëndë. Ju siguroj që Policia e Shtetit brenda një kohe shumë të shkurtër do të vejë para drejtësisë autorin”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë