Më 26 nëntor 2019 teksa shqiptarët flinin, një tërmet i fortë lëkundi të gjithë vendin duke i marrë jetën 51 personave. Ndër të parët që i erdhën në ndihmë shqiptarëve, ishin vëllezërit e motrat nga Turqia.
Tashmë është radha e shqiptarëve të tregojnë humanizmin me të cilin u bekuan kur kishin nevojë.
Në këtë optikë, fondacioni “Firdeus”, ka vendosur që t’u gjendet pranë banorëve të prekur nga tërmeti, përmes ndihmave në ushqime dhe jo vetëm.
Elvisi dhe Fatma Naçi udhëtuan drejt Stambollit, atje ku 5 maune të mëdha me ndihma po bëhen gati për t’ju drejtuar zonave të prekura nga tërmeti. Në automjete ka një total prej 100 tonësh ushqime të cilat do t’u vihen në shërbim njerëzve.
“Jemi në Stamboll, kemi përgatitur ushqime e veshmbathje për njerëzit që u prekën nga tërmeti i rëndë. Nesër këto 5 maune do të nisen në mëngjes për t’u shkuar njerëzve në nevojë. Ne kësisoj i bashkangjitemi karvanit të bamirësisë që po bëhet këtu. Ne e filluam stafetën e bamirësisë, e kush dëshiron mund të na bashkohet. Zoti i bekoftë bamirësit”-tha Elvisi.