Flakët i morën jetën të paktën 74 personave, mes tyre 12 fëmijë… Rrëfimet e të mbijetuarve nga zjarri në Johanesburg

Të paktën 74 persona, mes tyre 12 fëmijë, humbën jetën tragjikisht në një godinë të përfshirë nga flakët në Johanesburg (Afrika Jugut).

Godina 5 katëshe e përfshirë nga flakët përdorej nga nevojtarë që nuk kishin një strehë. Presidenti i vendit Cyril Ramaphosa e konsideroi një tragjedi dhe një paralajmërim për të gjitha autoritetet, teksa shkaku i zjarrit që shkrumboi godinën, mbetet ende i paqartë për hetuesit.

Si pasojë e flakëve, të paktën 50 persona të tjerë morën lëndime. Godina 5 katëshe rezulton të ishte pronë e qytetit, ndërsa në një njoftim të autoriteteve lokale atje, thuhej se ndërtesa prej vitesh përdorej nga të pastrehët e emigrantët.

Një zëdhënës i zjarrfikësve i quajtur Robert Mulaudzi, tha për BBC-në dhe median lokale, se ndër 12 fëmijët që ndërruan jetë, më i vogli ishte 18 muajsh.

BBC po ashtu ka marrë në intervistë disa prej personave që arritën t’i shpëtojnë zjarrit (në godinë kishte afro 200 persona). I mbijetuari i quajtur Mussi Hamissa tregoi se u zgjua në mes të natës nga të bërtiturat për zjarr dhe zhurmat e shumta në godinë. Hamissa rrëfeu se me t’u zgjuar mori në krahë vajzën e tij dhe së bashku me të shoqen arritën të shpëtojnë. Hamissa vetë u hodh nga dritarja drejt e në beton. Në trup ka një sërë të nxirash. Me t’u hedhur, ai priti të bijën në krahë. E shoqja lidhi disa çarçafë dhe arriti të rrëshqasë.

“Shumë njerëz na panë që po hidheshim dhe nisën të na ndjekin. Disa nuk ia dolën dot…kishte aq shumë trupa të pajetë. Aq shumë të vdekur… e unë nuk munda t’i ndihmoja”-thotë për BBC-në babai.

Hamissa (me origjinë nga Tanzania) jetonte prej 3 vitesh në atë godinë, e cila ishte kthyer në vendstrehim për shumë emigrantë.

“Në zjarr humba vëllezër e motra, familjen time. Ishin të gjithë aty, por unë munda të shpëtoj veçse foshnjen e time shoqe”-tha ai, duke shtuar se ndjenja e fajit do të qëndrojë përgjithnjë në zemër.

Një tjetër e mbijetuar është kjo grua e quajtur Sphiwe Ngcobo.

Fati i kësaj nëne ka qenë edhe më i hidhur se ai i Hamissa-s. Nëna e dy fëmijëve ndodhej përballë godinës duke shitur në rrugë kur zjarri kaploi pallatin 5 katësh. Ajo tregoi se zjarri përfshiu aq shpejt pallatin, saqë në momentin kur ajo pa flakët e deri sa mbërriti në hyrje të pallatit, zjarri kishte bllokuar tërësisht katin e parë. Në pamundësi për të hyrë në godinë kjo nënë priti duke u lutur për dy fëmijët e saj që ndodheshin në katin e dytë. Fëmijët ishin të moshave 5 e 2 vjeç. Pak momente më tutje, komshiu i saj doli nga godina duke mbajtur në krahë djalin 5 vjeçar. Vogëlushit I dilte shkumë nga goja, si pasojë e thithjes së një sasie të madhe të tymit.  Vogëlushi ishte në gjendje shoku dhe menjëherë u dërgua në spital.

Nëna qëndroi pas, në pritje të ndonjë lajmi për djalin e vogël…2 vjeçari fatkeqësisht ndërroi jetë.

“Nuk e di çfarë të bëj, ku të shkoj. Nuk e di se në cilin spital e kanë dërguar djalin tim… nuk e di se në cilin morg ndodhet trupi i djalit tjetër”-tha gruaja.

Burimi: BBC/ Përshtati me disa shkurtime FCH.al