Florida: 34 vjeçari shqiptar i merr jetën të shoqes dhe rrëmben të bijën 8 vjeçe

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Clearwater në Florida të SHBA-ve, atje ku një 34 vjeçar ka vrarë të shoqen dhe ka rrëmbyer më pas të bijën 8 vjeçe. Media amerikane shkruan se pas ndjekjes nga ana e policisë, 34 vjeçari Renato Muhaj është gjetur dhe prangosur. Bashkë me të u gjet dhe vajza e tij 8 vjeçe, e cila fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore.

34 vjeçari akuzohet për vrasje të shkallës së parë ndaj të shoqes 32 vjeçare, identifikuar si Suela Saliaj. Media vendase shkruan se ngjarja u sinjalizua në orët e vona të natës, kur policia u njoftua për një rast të dhunës në familje. Me të shkuar atje, policia gjeti prindërit e 34 vjeçarit të cilët ishin rrahur prej këtij të fundit. Renato u kishte marrë dhe celularët prindërve, në mënyrë që ata të mos telefonin policinë.

Autoritetet u vunë në ndjekje të të riut me origjinë shqiptare dhe njëkohësisht kërkuan ndihmën e një tjetër departamenti policie në qytetin e Largo-s. Oficerët e Largo-s panë se në vitin 2022 Renato Muhaj ishte gjobitur për parkim të gabuar dhe për adresë të tij kishte shënuar një banesë në një kompleks apartamentesh në zonën bregdetare.

Me të shkuar atje për të ndaluar 34 vjeçarin, oficerët u përballën me skenën e krimit. Në apartament policia gjeti të vdekur 32 vjeçaren Suela Saliaj. Vetë Renato Muhaj dhe vajza e vogël e çiftit, 8 vjeçarja Alessia, nuk ndodheshin në apartament.

Blloku i apartamenteve ku u gjet e vdekur 32 vjeçarja Suela Saliaj

Policia shpalli në kërkim 34 vjeçarin si dhe alarmoi të gjitha njësitet për zhdukjen e 8 vjeçares. Oficerët kishin në dispozicion fotot e Renatos e Alessias si dhe faktin se 34 vjeçari udhëtonte me një makinë Kia me numër targe EJIJ99.

Njoftimi qe beri policia amerikane ne lidhje me rrembimin e 8 vjeçares

Rreth orës 8:30 të mëngjesit, policia mori një sinjalizim për vendndodhjen e makinës së Renato Muhajt, të cilën e gjeti në një prej rrugëve në qytetin e Clearwater. Në makinë ndodheshin 34 vjeçari së bashku me të bijën. Policia ndaloi Muhajn. Vajza ishte e palënduar.

Departamenti i policisë atje tha se Muhaj përballet dhe me akuza për dhunë ndaj prindërve të tij si dhe një seri akuzash të tjera përveçse asaj të vrasjes së të shoqes.

8 vjeçarja u dërgua tek pjesëtarët e familjes së saj, shpjegoi shefi i policisë së Largo-s, Mike Loux.

Makina Kia e 34 vjeçarit, parkuar ne mes te dy makinave te tjera

Burimi: Tampabay.com/ Përshtati: FCH.al