Forcat RENEA hyjnë në banesën në Astir, vajza që bëri denoncimin në gjendje të rënduar, gjenden dy armë

Forcat speciale RENEA kanë arritur të hyjnë në një apartament në katin e tetë në një godinë banimi në zonën e Astirit në Tiranë, atje nga ku një vajzë alarmoi policinë duke thënë se është dhunuar nga disa persona.

Shtetësja me inicialet S.Q është gjetur në gjendje të rënduar psikologjike dhe e vetme në banesë. Ende nuk dihet gjendja e saj shëndetësore, pasi puna e autoriteteve vijon ende.

“Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojnë se:

Rreth orës 14:10, u bë hapja e derës së banesës nga Forcat “Renea”, nuk pati probleme.

Shtetasja S.Q, ndodhet nën asistencën e stafit mjekësor. Nga këqyrja paraprake nuk konstatohen shenja të dukshme fizike.

Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve të ngutshme hetimore dhe kontrollit të apartamenteve të tjera në pallatin në fjalë, në një banesë tjetër janë gjetur 2 armë zjarri pistoletë. Brenda kësaj banese nuk janë gjetur persona në momentin e kontrollit.

Grupi hetimor po kryen veprimet përkatëse me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e poseduesit të armëve”, njoftoi policia.

Më herët, shtetasja me inicialet S.Q, ka telefonuar policinë duke thënë se është dhunuar nga disa persona. Kur oficerët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë tentuar të hyjnë në banesë, vajza nuk u ka hapur derën.

Më tutje kanë mbërritur në vendin e ngjarjes forcat speciale, të cilat kanë ndërhyrë përmes taracës, duke zbritur me litarë.