Franca i shiti avionë Serbisë, reagon për herë të parë Albin Kurti

Ditën e enjte Serbia nënshkroi një kontratë 2.7 miliardë euroshe për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale, një vendim që ka sjellë jo pak reagime e debate në Kosovë. Marrëveshja mes Serbisë e Francës erdhi gjatë vizitës së Macron në Beograd. Gjatë konferencës Presidenti i Francës tha mes të tjerash

“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”.

Këtë të premte Kurti i është përgjigjur interesit të medias e gazetarëve të cilët e kanë pyetur në lidhje me avionët luftarakë që bleu Serbia prej Francës.

“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht, me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu pa dyshim edhe Francën, të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO”, tha sot kryeministri Albin Kurti.