Si sot një vit më parë, rreshteri Afrim Bunjaku do të përballej në Basnjkë me grupin terrorist serb të drejtuar nga Milan Radoiçiç.
Rreshteri Bunjaku së bashku me kolegë të tij iu përgjigjën informacionit se një barrikadë (dy kamionë pa targa) ishte vendosur në rrugën në Basnjkë. Me të shkuar atje, oficerët e policisë së Kosovës janë përballur me breshërinë e të shtënave nga ana e grupit terrorist serb. Tre oficerë mbetën të plagosur, në mesin e tyre dhe rreshteri Bunjaku, i cili humbi jetën në spital.
Në 1 vjetorin e këtij sulmit terrorist, vëllai i heroit Afrim Bunjaku, tregoi se kishte biseduar me të disa orë para ngjarjes tragjike.
“E shtunë ka qenë, e ka pasur ndërrimin e natës, kam telefonuar pasdite. Kemi folë nja gjysmë ore edhe në atë moment i thashë ruju, sikur kur ta tregon Zoti, ruju se nuk është situata e mirë, tha “jo se nuk frikësohem se është tokë e jona, s’kam frikë, asnjë pikë frikë s’e kam”.
“Kur kam biseduar i kam thënë ruaju, thoshte “kjo është tokë e jemja, nuk po i shkoj askujt në tokë, kjo është tokë e Kosovës”, duhet amanetin e Afrimë ta çojmë deri në fund, duhet të ruajmë çdo milimetër të Kosovës edhe pjesën veriore dhe ka thënë nuk pensionohem pa e çu deri në vend dhe e dha jetën për atdhe”, është shprehur vëllai i Afrimit, Muj Bunjaku.
Pas kësaj prite, grupi terroristëve i kryesuar nga Milan Radoiçiç u fsheh në Manastirin e Banjskës, atje ku ku barrikadua para se të rrethoheshin nga forcat speciale të Policisë së Kosovës.
Një sërë shkëmbimesh zjarri ndodhën, disa prej terroristëve ndërruan jetë, ndërsa disa tjerë arritën të largohen duke hyrë në Serbi. Përgjatë orëve të pasdites, njësitet speciale të Kosovës hynë dhe pushtuan manastirin, duke i dhënë fund kësisoj orvatjeve të grupit terrorist për të shkaktuar kaos në veri të Kosovës.
Një vit më vonë nga ngjarja, BE-ja përmes zëdhënësit Peter Stano, ka kujtuar sulmin dhe përsëritur thirrjen që personat përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë për këtë sulm.
“Kosova: Një vit pas sulmit në Banjskë Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për ndjekjen penale të përgjegjësve dhe e riafirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie”, ka shkruar Stano në X.
Stano ka shpërndarë reagimin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ku ka dënuar sulmin në Banjskë.
Shkrimi i Plotë:
Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës.
Ditën e djeshme (23 shtator) në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se rruga nacionale (segmenti Ballaban- Banjskë) do të mbajë emrin e Heroit të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Në mbledhjen e 221-të të Qeverisë, ndër vendimet tona kryesore ishte emërtimi i Rrugës Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës ‘Afrim Bunjaku.
Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti.