Fushë Kosovë, tre edukatore dyshohet të kenë ushtruar dhunë ndaj një 3 vjeçari, flet nëna dhe avokatët e palëve

Një ngjarje e rëndë është bërë publike së fundmi në Kosovë, atje ku në një çerdhe në Fushë Kosovë, pretendohet të jetë ushtrur dhunë fizike ndaj një 3 vjeçari. Familjarët e këtij të fundit kanë publikuar video (e cila tanimë është hequr nga rrjeti social, publikuar nga profili i një prej familjarëve të 3 vjeçarit) të kamerave të sigurisë, ku dallohen tre punonjëse si dhe veprimet e tyre.

Në lidhje me rastin tre punonjëset kanë shkuar në polici këtë të martë dhe kanë dhënë tashmë deklarimet e tyre në polici.

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë Fatlum Berisha, deklaroi për median se ligjet do të respektohen për rastin.

“Janë sekuestruar edhe pajisjet e kamerave, kështu që për hapat në vazhdim do të jemi në koordinim të plotë me policinë e Kosovës dhe inspektoratin. Ju lutem, këtu nuk ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por respektim të ligjit. Ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht kush është i përfshirë, në momentin që kemi vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit”, tha Berisha, siç raportojnë mediat e Kosovës.

Avokati mbrojtës i familjes së 3 vjeçarit deklaroi se mbi rastin ka dukshëm vepra penale, por i takon prokurorisë që të nisë akuzën në adresë të edukatoreve.

“Provat qe i kanë grumbulluar nga kopshti, tash duhet t’i dërgojnë në prokurori dhe pastaj prokurori vendos për sa i përket përkufizimit të veprës penale. Ne konsiderojmë se punonjëset i kanë bërë së paku tri vepra penale dhe në bazë të provave, pa asnjë mëdyshje ato kanë kryer vepër penale”,-tha avokati Nasuf Hasani.

“Ka qenë hera e parë, dhe vlen të theksohet se fëmija ka trauma, sa i përket kopshtit është e pamundur të vendosim që të dërgohet në kopsht. Fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar prej fëmijëve të tjerë, për shkak të hiperaktivitetit që e ka. Konsideroj se sipas punëtorëve socialë, është e detyrueshme që fëmija t’i nënshtrohet një trajtimi nga ana e psikologut, pasi është në gjendje jashtëzakonisht të keqe”.-ka shtuar më tutje avokati.

Ndryshe është shprehur avokati mbrojtës i njërës prej punonjëseve të akuzuara, i cili tha për median e Kosovës se rasti po hiperbolizohet.

 Akuzë nuk ka ende. Ajo po dyshohet se u sjellur në mënyrë jo të mirë ndaj fëmijës, gjë e cila nuk është e vërtetë, për të cilën nuk ka bazë. Është një punëtore me përvoje 23-vjeçare. Asnjëherë më parë nuk ka qenë në ndonjë procedurë disiplinore. Unë i kam parë të gjitha pamjet. Aty është vetëm një ndalesë e cila i është bërë fëmijës në mënyrë që të mos dalë jashtë objektit, pasi që ai është në adaptim njëmujor dhe nuk është duke mundur ta përballojë vendosjen në çerdhe”, tha avokati Bajram Zogiani.

Për rastin foli më herët dhe nëna e vogëlushit, e cila tha se pas bisedës me të birin, kishte mësuar se prej 8 orësh ai nuk kishte pirë ujë e as ngrënë ushqim në çerdhe.

“Më ka thënë djali nuk kam hëngër bukë, nuk kam pi ujë që 8 orë. Fëmija im pa hangër pa pi. Ka pi ujë i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thash le se të jep mami në shtëpi bukë. Jam detyru mu ndal i ka hëngër dy hamburger dhe një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali por nuk jam e sigurt”, ka thënë nëna për mediat në Kosovë..