Fushë- Krujë: Arrestohet 24 vjeçari, shiste lëndë narkotike pranë shkollave

Një 24 vjeçar i identifikuar me inicialet J.D, është arrestuar nga policia në Fushë- Krujë, pasi është kapur duke tentuar të shesë lëndë narkotike pranë shkollave.

I riu është kapur në flagrancë me disa doza kanabisi, të ndara dhe gati për t’u shitur në afërsi të një shkolle.

Njoftimi i policisë

Si rezultat, në afërsi të një shkolle në Fushë Krujë, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi J. D., 24 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 24-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në afërsi të shkollave, në zonën e Fushë Krujës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.