Gazeta më e pazakontë, botohet një herë në 4 vite… vetëm më 29 shkurt

Është e vetmja gazetë e “përkatërvjetshme” në planet. Një gazetë që botohet pra vetëm një herë në 4 vite, më 29 shkurt.

Fjala është për “La Bougie du Sapeur” (në shqip ‘Qiriu i xhenierit’), një gazetë franceze me motive satirike e komike.

Tabloidi ka 20 faqe dhe botohet çdo vit të brishtë. Edicioni i parë i saj është botuar më 1980 dhe këtë vit, u botua edicioni i saj i 12-të.

Gazeta u krijua nga një grup miqsh të cilët e nisën si një shaka, pa e ditur se botimet e tyre do të kishin shikueshmëri të lartë. Gazeta ka një tirazh prej 200 mijë kopjesh dhe kushton afro 5 euro.

“Kur botimi i parë u shit brenda dy ditëve, agjentët e gazetave në atë kohë na kërkonin më shumë kopje. Ramë dakort që të rrisnim tirazhin, por vetëm një herë në 4 vite”-tha redaktori Jean d’Indy.

“Gazetën e publikojmë me një grup miqsh. Mblidhemi bashkë dhe hedhin ide, krijojmë shaka dhe nëse edhe lexuesit qeshin, ky është qëllimi”-shpjegoi më tutje d’Indy.

Gazeta ka një format që shkon kundër ideve politikisht korrekte, me seksione mbi politikën, sportin, temat ndërkombëtare, artin, lojërat si dhe thashethemet për personazhet e famshme.

Artikujt shkruhen si komentare humoristike. Në botimin e 29 shkurtit të këtij viti, titulli kryesor është “A do të jemi të gjithë inteligjentë?”. Artikulli detajon me nota humori sesi tanimë nxënësit e studentët përdorin në masë inteligjencën artificiale për të kaluar provimet.

Në tërësi është “humor francez” thotë redaktori i gazetës dhe “nuk përkthehet kollaj si i tillë në gjuhët e tjera. Mundohemi të jemi humoristikë, por jo të pakëndshëm, pra të bëjmë humor pa nevojën për të qenë mizorë”.