Të tjerë shpendë të ngordhur janë konstatuar, në brigjet jugore të vendit, kësaj here në Lagunën e Karavastasë. Shkak sërish, është gripi i shpendëve, ashtu siç pohon dhe një njoftim i bërë nga drejtoria e bujqësisë në qarkun e Fierit. Punonjësit e drejtorisë së bujqësisë kanë bërë dezinfektimin e vendit ku u gjendën shpendët ujorë (pulëbardha) të ngordhur.
“Po bëhet monitorimi i lagunës dhe zonës përreth në bashkëpunim me punonjësit e Agjencisë së zonave të mbrojtura për shkak të terrenit lagunor. Janë ngritur 4 grupe pune të cilët po monitorojnë fermat e shpendëve mbi gjendjen shëndetësore të tyre. Deri më tani nuk kemi raste në ferma oborri apo komplekse mbarështimi me shpendë. Është krijuar zona e mbrojtur dhe zona e mbikëqyrur me rreze 3 dhe 10 km ku po bëhen monitorimet e përditshme’, thuhet në njoftim.
Aktualisht janë 4 vatrat e përhapjes së sëmundjet, konkretisht në Nartë, në Zall Herr, Paskuqan e në Karavasta.
“Që prej konfirmimit të rastit të parë është në fuqi dhe mblidhet në rend ditor Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendëshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qendra Rajonale të Krizës, e cila ka identifikuar Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km) p ër tre vatrat në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe asaj të konfirmuar ditën e sotme 09.01.2025 në Lagunën e Karavastasë.
Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura. Është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikqyrjes.
Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të cdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimit rigoroz të masave të biosigurisë dhe kufizimit të ekspozimit të shpendëve në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë.”-njoftoi më tutje Ministria e Bujqësisë.