Shkencëtarët në Brazil kanë zbuluar për herë të parë prezencën e mikroplastikës në indet e trurit njerëzor, ndërsa përfundimet e studimit të tyre i kanë publikuar në Rrjetin e Hapur JAMA.
Të shumta janë studimet dhe gjetjet e viteve të fundit të cilat shtojnë provat se mikroplastika gjendet thuajse kudo në organet e njeriut, deri edhe në gjak apo në pllakat që bllokojnë arteriet. E nëse këto ndotës të kudondodhur mund të arrinin në trurin e njeriut, ka qenë një shqetësim serioz për shumë studiues e shkencëtarë.
Zbulimi se mikroplastika “mbërrin” edhe në indet e trurit, është vëzhguar gjatë studimit të disa kufomave. Në shumicën e tyre është gjetur prezenca e mikroplastikës. Studiuesit gjetën në total 16 fibra dhe grimca të plastikës. Më të mikroskopiket kishin një diametër më të vogël dhe qeliza e kuqe e gjakut të njeriut, e cila është përafërsisht 8 mikrometër (μm).
Llojet e gjetura të mikroplastikës së gjetur ishin polipropilenet, më pas poliamidet, nejlonët dhe polietilenet.
“Propilenet janë kudo, nëpër rrobat, veshjet, tapetët apo divanët tanë”-tha Dr. Thais Mauad, drejtuesja e studimit dhe profesoreshë e asociuar e patologjisë në Universitetin e Mjekësisë në Sao Paolo.
“Ne e dimë kësisoj se vendi ku jemi më shumë të ekspozuar ndaj këtyre grimcave është shtëpia, për shkak se banesat tona janë të mbushura me plastikë”-shtoi më tutje Dr. Mauad.
Dr. Mauad dhe ekipi që ajo drejtoi morën mostra të indit të bulbit olfaktorial nga 15 kufoma të njerëzve që kishin vdekur mes moshave 33 deri në 100 vjeç. Nga 8 prej këtyre mostrave u gjet prezenca e mikroplastikës. Grimcat varionin nga 5.5 mikrometër deri në 26.4 mikrometër.
Më herët këtë vit, një studim tjetër ishte i pari i cili arriti të gjejë një lidhje mes prezencës së mikroplastikës dhe rasteve në rritje të vdekshmërisë tek njerëzit që kishin nivele të larta të plastikës në pllakën arteriale.
“Ne e dimë se ka një reaksion inflamator, kur qelizat tona ekzpozohen nga mikroplastika, një fakt që e kemi provuar në laborator”-tha Dr. Mary Johnson, shkëncëtare në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard.
Dr. Johnson shtoi se sëmundjet neurologjike, përfshi dhe demencën, janë të lidhura me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit.