Gjermania do të dërgoje 150 trupa ushtarake shtesë në Kosovë

Një zëdhënës i Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes deklaroi këtë të premte se Gjermania do të sjellë 150 ushtarakë shtesë në misonin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, deri në prill të vitit të ardhshëm.

Zëdhënësi saktësoi se vendimi nuk ka të bëjë me tensionet aktuale në veri të Kosovës, pasi trupat do të shërbejnë si kompesim për tërheqjen e trupave austriake nga KFOR-it.

Kësisoj numri i trupave shtesë, nuk do ta rrisë numrin total të trupave të KFOR-it në Kosovë. Aktualisht Gjermania i ka 71 ushtarë në Kosovë.

“Vendimi për ndryshim të balancit të forcave në KFOR merret gjithmonë përmes një procesi shumëkombësh të vendimmarrjes”, ka thënë zyrtari gjerman, kur është pyetur se si të veprojë Gjermania, nëse situata do të përshkallëzohej para vitit të ardhshëm.

Këtë të premte, disa ditë para se të lërë stafetën tek Turqia, komandanti italian i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, paralajmëroi se do të ketë përforcime në radhët e KFOR-it, i cili aktualisht i ka 4500 trupa në Kosovë.

Pak ditë më parë, Britania e Madhe konfirmoi se do t’i dërgojë 400 ushtarë shtesë në Kosovë, ndërgja gjenerali Ristuccia përmendi se përforcime do të ketë edhe nga Rumania e ‘vende tjera aleate’.