Gjirokastër, prangoset 44 vjeçari: Dhunoi nënën e moshuar dhe e kanosi me armë gjahu

Një 44 vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës nën akuzën se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së moshuar si dhe kanosjes së saj, me një armë gjahu.

Përveç armës, autoritetet i gjetën një sasi municioni dhe lëndë të dyshuar narkotike (kanabis).

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga një shtetase 71 vjeçe, se djali i saj e kishte dhunuar dhe e kishte kanosur me armë gjahu, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin 44 vjeç, banues në fshatin Zhulat, Gjirokastër.

Ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij dhe e ka kanosur atë me një armë gjahu çifte që e posedonte me leje.

Arma e gjahut u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një sasi municioni luftarak për këtë lloj arme, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis dhe një armë të ftohtë thikë, që i posedonte 44-vjeçari.”-njoftoi policia.