Disa ndryshime ligjore janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, në lidhje me personat që ofrojnë apo tregtojnë produkte të duhanit apo cigare elektronike për të rinjtë nën moshën 18 vjeç.
Në projektligjin e dërguar për shqyrtim në Kuvend, propozohet forcimi i masës me gjobë si dhe një ashpërsim i dënimit me burg, që mund të shkojë deri në 16 vite.
“Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale për tregtimin, shitjen apo ofrimin të produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç, ka ardhur dëmtimi i rëndë i shëndetit të të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastin kur është shkaktuar vdekja e të miturit, dënimi është nga 8 deri në 16 vjet burgim”.
Në raportin që shoqëron draftin për ndryshime ligjore në kodin penal, citohet se numri i adoleshentëve që pinë duhan në vend është i lartë dhe përgjatë viteve të fundit ka njohur rritje në vendin tonë.
Në raportin OBSh-së, duhanpirja ka pësuar ulje tek grupmosha 13-15 vjeç në nivel global, por e kundërta ka ndodhur në Shqipëri. Duhanpirësit në këtë moshë janë 9.3% në Shqipëri, krahasuar me 5.1% në nivelin global.
Duhanpirja mbetet një ndër faktorët kryesore të riskut kur fjala vjen tek sëmundjet kronike të mushkërisë e zemrës, dy prej shkaqeve kryesore që marrin më së shumti jetë në vendin tonë.