Gjuha shqipe do të mësohet edhe në Harvard

Studentët e Universitetit të Harvard-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mund të kenë mundësinë të zgjedhin për të studiuar gjuhën shqipe, e cila tashmë është bërë pjesë e kurrikulave të gjuhës.

Lajmi është bërë publik nga “Harvard Magazine” e cila njoftoi se gjuha shqipe është vendosur në departamentin e gjuhëve he qytetërimeve, krah armenishtes, persishtes, turqishtes etj. Orët e shqipes elementare kanë nisur që këtë semestër. Fillimisht do të ofrohen kurse për nivelin elementar të gjuhës, me synimin që më tutje të vijohet me nivelin e mesëm dhe të avancuar të shqipes.

Jo të paktë janë shqiptarët të cilët jetojnë prej brezash në SHBA. Kësisoj nevoja për pasjen e aksesit e mësimit të shqipes jashtë familjes, është një element i nevojshëm për studimin e gjuhës së të parëve.

Në SHBA, gjuha jonë është bërë pjesë e kurrikulave në Universitetin e Arizonës, Universitetin e Depaul dhe Kolegjin Mercy në New York.