Me dhimbjen që nuk i ndahet… kështu i kalon ditët ky 12 vjeçar nga fshati Zallbastar.
I rritur në varfëri e kushte të vështira, Altini pësoi një problem serioz me kupat e tij të gjurit, të cilat i dalin vendit. Sa herë që 12 vjeçari tenton të ecë, dhimbja është e padurueshme, aqsa shpesh herë i bien të fikët prej saj.
“Jam Altin Hidri, 12 vjeç. Shkoj tek shkolla 9 vjeçare Vilëz. Kam probleme me kupat e gjurit. Më doli nga vendi këmba, nuk eci dot. Ka raste që më bien të fikët nga dhimbja e madhe. Nuk mund të dal për të ecur, deri në tualet shkoj. Mund të dal në oborr ndonjëherë, por vetëm me ndihmë sepse e kam të vështirë.”-thotë Altini.
Vëllai i tij e kujton me lot në sy momentin kur dëgjoi të vëllanë tek bërtiste nga dhimbjet.
“Bërtiti, o gjuri gjuri, ra në tokë… i ranë të fikët. E mora në krah dhe e solla tek shtëpia.”-kujton vëllai i Altinit.
Ndërkohë ata që janë të pikëlluar, janë nëna e babai i 12 vjeçarit. Zgjidhje ka për djalin e tyre, por mundësitë ekonomike të familjes janë të pakta. Në lot e ngashërima, nëna e Altinit rrëfen për “Shqiptarët për Shqiptarët” se nuk mundet dot më ta shohë të birin në atë gjendje.
“Nuk e përballoj dot kur e shoh ashtu fëmijën. Më qan zemra, ndihem shumë keq kur e shoh. Më thotë se nuk rri dot shtrirë, se ka dhimbje. Na thanë që nëse nuk bëhet operacioni, fëmija mund të mbetet i paralizuar. Se mund t’i lëshojnë kockat e s’mund të mbajë më dot peshën e trupit.”-thotë nëna e Altinit.