Gjykata në Podgoricë ka vendosur që Luan, Lulzim dhe nëna e tyre Nure Hasanaj, të dënohen me nga 40 vite burg secili për vrasjen e oficerit të policisë Milutin Lekovic.
Ngjarja ndodhi në vitin 2019, ndërsa tanimë gjykata ka shpallur verdiktin e saj duke i gjetur të fajshëm të tre shqiptarët, pavarësisht se oficerin e qëlloi me armë 43 vjeçari Luan Hasanaj.
Oficeri malazez u qëllua më 15 dhjetor, teksa kishte ndaluar për kontroll automjetin ku udhëtonin familja shqiptare. Këta të fundit nuk posedonin dokumente dhe po tentonin të kalonin në Kroaci, në vendin e njohur si Fusha e Sutorinit. Pasi oficeri u ka kërkuar dokumentet, mes palëve ka patur një debat. Në këtë moment Luan Hasanaj ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar për vdekje (në kokë) oficerin 41 vjeçar.
Efektivi u dërgua në spital por mjekët nuk mundën të bëjnë dot gjë për të. Disa kilometra larg vendit të ngjarjes, policia mundi të arrestojë familjen tre anëtarëshe, ndërsa para ndalimit pati edhe shkëmbim zjarri.