Gjykata e Apelit refuzon argumentat, dy të rinjtë e akuzuar për vrasjen e Stiven Toshkezit mbeten në burg

Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në burg autorin e dyshuar të vrasjes së 20 vjeçarit Stiven Toshkezi, shtetasin Axel Hoxhaj si dhe mikun e tij Ensi Maze. Ky i fundit apeloi vendimin për akuzat në drejtim të tij, por gjykata e apelit ka refuzuar argumentat duke vlerësuar se verdikti i shkallës së parë është i drejtë mbi masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Kujtojmë se dy të rinjtë pas pak mesntës së 18 prillit, në afërsi të gjimnazit “Partizani” në Tiranë, u konfliktuan dhe goditën me mjet prerës 20 vjeçarin, i cili fatkeqësisht humbi jetën.

Shkak i sherrit mes djemve ishte bërë një vajzë.

NJOFTIM PER MEDIA

Referuar interesimit të medias ju informojmë se:

Më datë 24.05.2023 në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është gjykuar çështja penale (masë sigurimi) për vlërësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim me iniciale E.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale  të “Vrasjes me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 76-25 dhe 279/2 të K.Penal. Ku si pasojë e një konflikti, më datë 18.04.2023 ne Rrugën “Skëndër Sallaku”, përbri Pizzeri Gloria, “Kompleksi Halili”, ka ndërruar jetë shtetasi me iniciale S.T, si pasojë e plagëve të marra nga goditja me mjete të mprehta. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë shtetasit me iniciale E.M dhe A.H.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 857 Akti, datë 21.04.2023 ka vendosur:

Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flangrancë të personit nën hetim E.M.

Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim E.M atë të “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale.

Urdhërohet policia gjyqësore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për ekzekutimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetimi me iniciale E.M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit lidhur me masën e sigurimit duke e ndryshuar nga “arrest në burg” në atë të “Detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në përfundim të gjykimit, më datë 24.05.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala,  vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 857, date 21.04.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM