Gjykata italiane dënon me 14 vite burg të moshuarën shqiptare, vrau dhe copëtoi të shoqin 72 vjeçar

Nadire Kurti, 68 vjeçarja shqiptare e cila i mori jetën të shoqit 72 vjeçar në mënyrë makabre, është dënuar nga gjykata italiane me 14 vite e 6 muaj burgim.

Ngjarja e rëndë ndodhi vitin e kaluar në Rovigo, atje ku 68 vjeçarja qëlloi për vdekje Shefki Kurtin dhe mandej i copëtoi trupin. Gruaja e dekapitoi 72 vjeçarin fillimisht dhe më pas ndau trupin e bashkëshortit në 8 pjesë. Me t’i vendosur pjesët e trupit në thasë plehrash, gruaja më tutje ka shkuar t’i hedhë ato në lumin Adigetto.

Krimi u zbulua disa ditë më vonë, kur disa banorë atje pikasën këmbën e majtë të të ndjerit. Pas nisjes së hetimeve, u zbuluan dhe pjesët e mbetura të trupit të 72 vjeçarit.

Hetuesit nisën punën për të hedhur dritë mbi vrasjen makabre, duke menduar fillimisht se kishin të bënin me një krim mafioz. Por me kalimin e kohës dhe gjetjen e elementëve të rinj, doli në dritë fakti se vrasja e 72 vjeçarit, ishte bërë nga e shoqja.

Kur policia e prokuroria arritën në të dhëna konkrete, gruaja e pranoi se ishte ajo vrasësja. Përpara hetuesve që e pyesnin se ku kishte mësuar të prente, gruaja që jepte idenë e një amvise të brishtë, tregonte “kur pret… pulën”.