Gjykata lë në burg tre fëmijët që vranë e groposën të atin, cilat janë akuzat që rëndojnë mbi ta

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën, tre fëmijët të cilët vranë dhe më pas groposën babanë e tyre në kasollen në oborrin e shtëpisë.

Ngjarja kriminale ndodhi më 10 shkurt në fshatin Shënavlash dhe u zbulua ditë më vonë pas një pune hetimore të gjatë nga ana e policisë.

Këtë të hënë para gjykatës, Hysen e Hygerta Meta kanë ndryshuar sërish dëshmitë e tyre në lidhje me autorësinë e krimit. Kur rasti u bë publik, ishtë 19 vjeçarja e cila thoshte se e vrau ajo babain sepse kërkonte ta fejonte kundër dëshirës së saj. Më vonë policia arrestoi dhe dy djemtë e familjes, ndërsa 24 vjeçari Hysen Meta pranoi se kishte qenë ai personi që kishte shkrepur armën.

Sot para gjykatës, Hyseni e Hygerta kanë folur krejt ndryshe. Fillimisht 24 vjeçari i akuzuar për vrasjen, tha se nuk ka qenë ai personi që shkrepi armën, por e motra. Edhe kjo e fundit ka thënë se ka qenë ajo në fakt vrasësja e të atit dhe se prej kohësh ishte kërcënuar nga i ndjeri, që sipas saj i kishte thënë se do ta vriste.

Përtej pretendimeve të kësaj të hëne nga ana e autorëve të dyshuar, gjykata vendosi për t’i lënë në burg, derisa drejtësia të vendosë dhe hetimet të përfundojnë plotësisht.

Aktualisht prokuroria akuzon Hysen Metën për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, kryer në bashkëpunim”. Pritet të ngrihen dhe të tjera akuza për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘fshehja ose asgjësimi i kufomës’. Nëse 24 vjeçari shpallet fajtor për këto vepra, ai rrezikon të dënohet deri me burgim të përjetshëm.

Për Hygerta Metën, prokuroria ka ngritur akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, kryer në bashkëpunim” si dhe ‘fshehjen apo asgjësimin e kufomës’. 19 vjeçarja rrezikon deri në 35 vite burgim.

Për vëllanë e vogël, 21-vjeçarin Amarildo Meta dyshohet se ka kryer veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomes”. Ai rrezikon dënim nga gjobë deri në 5 vite burg nëse shpallet fajtor.