Gjykata merr vendimin: Masë arresti me burg për 4 minorenët që i morën jetën 15 vjeçarit në Gramsh

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të lërë në burg deri në përfundim të hetimeve, 4 minorenët e përfshirë në vrasjen e 15 vjeçarit në Gramsh, Fationit.

Në seancën gjyqësore për vlerësimin e masës së arrestit, prokurorja Pranvera Stafa kërkoi që të miturit të qëndrojnë në burg, ndërsa gjyqtari i çështjes e vlerësoi si të ligjshëm arrestin e të miturve dhe lënien e tye nën masën “arrest me burg”.

Kujtojmë se më 16 maj, jo shumë larg ambienteve të shkollës 9 vjeçare “Asllan Shahini” 4 adoleshentë u përleshën me viktimën dhe kushëririn e këtij të fundit, i cili mbeti i plagosur. Fationi i kishte ardhur në ndihmë kushëririt të tij, i cili disa kohë më parë kishte patur një sherr në rrjetet sociale me 4 adoleshentët e tjerë. Këta të fundit kishin ardhur me thika e doreza hekuri. Një goditje me thikë pranë zemrës, i mori jetën Fationit.