Gjykata në Spanjë dënon me burg ish yllin e Barcelonës Dani Alves

Një gjykatë në Spanjë e ka shpallur fajtor futbollistin brazilian Dani Alves, për akuzën e përdhunimit të një gruaje në një klub nate në Barcelonë.

Ish futbollisti i Barcelonës është dënuar me 4 vite e gjysëm burgim.

40 vjeçari, i cili është një ndër futbollistët më të ‘dekoruar’ në histori, mohoi akuzat të cilat u ngritën më dhjetor të vitit 2022.

Avokatët e tij mbrojtës thanë se do të apelojnë vendimin, ndërsa avokati mbrojtës i viktimës tha se e mirëpriti verdiktin e drejtësisë duke shtuar se vendimi “njeh atë që ne e dinim, të vërtetën e viktimës dhe vuajtjet e saj”.

Gjykata nuk e pranoi argumentin e mbrojtjes se Alves kishte qenë i dehur atë natë. Bashkëshortja e 40 vjeçarit tha para gjykatës se i shoqi kishte ardhur në gjendje tepër të dehur. Pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata vendosi se konsumi i alkoolit nuk kishte tjetërsuar veprimet e tij.

Prokuroria kërkoi 9 vite burgim për brazilianin. Organi i akuzës argumentoi se natën e krimit Alves së bashku me disa miq kishin blerë tre shishe shampanjë për tre vajza. 40 vjeçari ka marrë më tutje njërën prej tyre dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të, pavarësisht se kjo e fundit i ka thënë se nuk donte. Vajza ishte 23 vjeçe.

Vetë Alves, raporton BBC-ja, e ka ndërruar dëshminë e tij disa herë. Fillimisht ai ka thënë se nuk e njeh vajzën që e akuzonte, ndërsa më pas ka pranuar se e ka takuar në tualet, por se nuk ka ndodhur asgjë mes tyre. Më tutje Alves ka pranuar se kanë kryer marrëdhënie, që sipas tij ka qenë konsensuale

Alves u urdhërua nga gjykata që të paguajë dhe 150 mijë euro në adresë të viktimës.

Burimi: BBC