Google thotë se kompjuteri i tyre kuantik mund të kryejë kalkulime që ‘rivalit’ do t’i duheshin 47 vite për t’i bërë

Google ka zhvilluar një kompjuter kuantik që në mënyrë të menjëhershme është i aftë të bëjë kalkulime që superkompjutrit më të mirë aktual… do t’i duheshin të paktën 47 vite për t’i kryer.

Të paktën ky është pretendimi i gjigandit të teknologjisë, ndërsa një artikull i kërkuesve në Google është publikuar online. Në të pretendohet se teknologjia e fundit e kompanisë shkon “përtej kapaciteteve e superkompjuterave klasikë të tanishëm”.

Shkencëtarët që janë pro zhvillimit të mëtejshëm të kompjuterëve kuantikë thonë se një teknologji e tillë do të sillte të mira të mëdha për njerëzimin. Nga ana tjetër ka argumente se një teknologji e tillë do të vinte në pikëpyetje të gjitha sistemet e enkriptimit, duke vënë në rrezik sigurinë e vendeve.

Katër vite më parë, Google pretendoi se ishte kompania e parë e cila arriti “supremacinë kuantike”, një pikë e cila i referohet faktit se kompjuterat kuantikë aktualë, kanë arritur të kalojnë superkompjuterët ekzistues.

Teksa në vitin 2019 Google kishte një makineri me 53 qubits, blloqet ndërtuese të kompjuterave kuantikë, gjenerata e re e kësaj ‘makinerie’ ka 70 qubits.

Shtimi i këtyre njësive themelore e rrit kapacitetin dhe fuqinë e kompjuterit kuantik në mënyrë eksponenciale. Sipas Google, makineria e re është 241 milionë herë më e fuqishme sesa ajo e vitit 2019.

Studiuesit thonë se superkompjuterit më të fuqishëm në planet (i quajtur Frontier) do t’i duheshin 6.18 sekonda për t’u barazuar me kalkulimet që bënte kompjuteri kuantik i tyre në vitin 2019… ndërsa tanimë, superkompjuterit më të fuqishëm në Tokë, do t’i duhen plot 47 vite që të arrijë në nivelin e kalkulimeve që bën makineria e re kuantike.

Studiuesit pretendojnë gjithashtu se kompjuteri kuantik i tyre, është shumë më I fuqishëm se kompjuteri kuantik i Kinës, vend i cili për vite ka ruajtur ‘lidershipin’ në këtë fushë

Në lidhje me këtë arritje në kapacitetet dhe aftësinë për të kalkuluar, shumë studiues u shprehën të kënaqur, por nga ana tjetër, disa të tjerë treguan se kjo arritje nuk sjell ende të mira konkrete për njerëzimin.

“Ky është  një demostrim i mirë që tregon avantazhet që kanë kompjuterët kuantikë. E teksa është një arritje e madhe akademikisht, algoritmi i përdorur nuk ka aplikime praktike. Ne duhet ta sjellim kompjuterin kuantik në një epokë të re ku këto kompjutera prodhojnë vlerë për shoqërinë”-tha  Sebastian Weidt, drejtuesi ekzekutiv  i një kompanie.

Burimi: The Telegraph/ Pershtati: FCH.al