Grabitësit i marrin jetën nënës së dy fëmijëve, dhëndri vret 52 vjeçarin… dy krimet që tronditën Prishtinën

Dy vrasje tragjike kanë tronditur Kosovën mbrëmjen e ditës së mërkurë. Një grua 33 vjeçare u vra me armë zjarri gjatë një grabitje në Prishtinë, ndërsa pak orë më tutje, një 52 vjeçar u godit për vdekje me thikë nga dhëndri i tij 29 vjeçar.

E para ngjarje ndodhi në rrugën “Dali Alshiqi” në Prishtinë. Liridona Murseli, bashkëshorte e këshilltarit të ish- Presidentit Behgjet Pacolli, mbeti e vrarë gjatë një grabitje të armatosur. 33 vjeçarja ka qenë në automjet me dy fëmijët dhe bashkëshortin, në momentin kur grabitësit kanë bërë pritë. Këta të fundit kanë kërkuar sendet me vlerë dhe më pas njëri prej tyre ka qëlluar me armë, në rrethana ende të paqarta. Nga ajo se çfarë kanë raportuar mediat e Kosovës, bashkëshorti i të ndjerës ka mundur të dalë në kohë nga makina së bashku me dy fëmijët. Sipas deklarimeve të zbardhura po nga media vendase, bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli, ka deklaruar para hetuesve se grabitësit i kanë kërkuar gjërat me vlerë fillimisht. Murseli ka shpjeguar se ai ka mundur të largojë fëmijët nga vetura, por në atë moment ka dëgjuar krismat e armës.

Autorët ende nuk janë kapur, ndërsa prokuroria ka ngritur një sërë pistash mbi dinamikën e shkaqet e mundshme të ngjarjes.

Ngjarja tjetër e rëndë ndodhi në rrugën “Ali Vitia”, atjë ku një 52 vjeçar i identifikuar si Ali Kosova, dyshohet se u godit për vdekje me thikë nga dhëndri i tij, 29 vjeçari i identifikuar si Edon Bujupi. 52 vjeçari është dërguar në spitalin e Prishtinës, por nuk ka mundur t’i mbijetojë dot plagëve.

Ende nuk dihen motivet që kanë sjellë në këtë krim të rëndë. 29 vjeçari ndodhet ende në arrati dhe është shpallur në kërkim nga policia.