Grabiti me armë një dyqan celularësh në Tiranë, ky është autori i dyshuar

Policia e kryeqytetit ka identifikuar personin që pak ditë më parë kreu një grabitje të armatosur në një dyqan celularësh në afërsi të rrugës “Myslym Shyri”.

Fjala është për 43 vjeçarin Afrim Dulaj. Policia e Tiranës ka publikuar foton e autorit të dyshuar dhe ka vendosur një shpërblim prej 5 mijë eurosh për këdo që jep informacione që do të çojnë në ndalimin e tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 09.02.2024, në një dyqan celularësh, në rrugën “Myslym Shyri”, kanë vijuar hetimet e thelluara për identifikimin e autorit të rastit.

Si rezultat i punës intensive hetimore, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Afrim Dulaj, i ditëlindjes 02.11.1980, banues në Tiranë.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.”-thuhet në njoftimin e policisë.