Gramsh: 19 vjeçari dhunon me grushte e sende të forta të moshuarin 82 vjeçar… për t’i vjedhur paratë

Një 19 vjeçar i quajtur Klajdi Jaupi, është prangosur nga policia e Gramshit, nën akuzën e rëndë të “vjedhjes me dhunë”. 19 vjeçari i ka vjedhur një shumë parash një të moshuari, e për të arritur tek paratë, i riu e ka rrahur 82 vjeçarin duke e goditur me grushte e sende të forta.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Poroçan, një shtetasi të moshuar i kishin marrë me dhunë një shumë parash, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të këtij rasti.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ditën e djeshme, në fshatin Poroçan, 19-vjeçari ka goditur me grushte dhe sende të forta, shtetasin M. R., 82 vjeç, dhe i ka marrë atij 55 000 lekë, të cilat Policia i ka gjetur dhe i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi M. R. ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.