Greqi: 46 vjeçari shqiptar i merr jetën gruas së tij 60 vjeçe, detajet e krimit në Selanik

Një grua në moshën 60 vjeçare është vrarë ditën e dielë në Selanik të Greqisë, ndërsa autor i krimit është partneri i saj, një 46 vjeçar me origjinë shqiptare.

Media vendase shkruan se ngjarja ndodhi në banesën e çiftit në Angelochori, atje ku 46 vjeçari ka goditur me thikë 60 vjeçaren. Në ndihmë të nënës ka ndërhyrë djali i saj 29 vjeçar, i cili po ashtu ka mbetur i plagosur nga goditjet me thikë.

60 vjeçarja humbi jetën pasi mori plagë fatale në pjesën e abdomenit (barkut). 29 vjeçari u dërgua me urgjencë në spital dhe aktualisht vijon të jetë i shtruar atje, jashtë rrezikut për jetën.

46 vjeçari shqiptar u arrestua nga policia fill pas ngjarjes së rëndë.

Sipas asaj që ka mësuar media vendase, autori e viktima bashkëjetonin prej shumë vitesh. Shtetasi shqiptar nuk kishte asnjë precedent të mëparshëm penal.

Në lidhje me motivin dhe dinamikën e ngjarjes, policia greke njoftoi se sherri ka nisur për shkak të një debati mes çiftit, natyra e të cilit nuk është bërë e ditur. 46 vjeçari ka marrë një thikë dhe me të ka qëlluar 60 vjeçaren, ndërsa në këtë moment ka ndërhyrë djali i viktimës, i cili është goditur nga shqiptari me një thikë të dytë.

Për ngjarjen ka folur dhe djali tjetër i 60 vjeçares që mbeti e vrarë. Ai ka thënë për median greke se nëna me 46 vjeçarin nuk kishin patur asnjëherë sherre apo përplasje të forta.

“Gjithçka ka ndodhur brenda 5 minutash. Ai ishte ekstremisht xheloz. Ata nuk kanë patur asnjëherë probleme, kishte disa herë debate mes tyre por asgjë serioze. Askush nuk e priste atë që ndodhi.”-ka thënë djali i viktimës.