Greqi: Punonte nga mëngjesi në darkë më të bijën, vdekja tragjike e shqiptares, u kap nga grirësja në dyqanin e mishit

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Messolonghi të Greqisë, atje ku një grua shqiptare në moshën 50 vjeçare, humbi jetën tragjikisht në vendin e punës.

E identifikuar si Lubjana Peroj, shqiptarja ishte duke pastruar një grirëse në një dyqan mishi, kur aksidentalisht grirësja i ka kapur flokët dhe e ka lënduar për vdekje.

Protothema shkruan se ka qenë e bija 18 vjeçare e cila e ka parë të ëmën të kapet nga flokët në grirëse, më pas për t’u copëtuar prej pajisjes. 18 vjeçarja po pastronte hyrjen e dyqanit, kur ka dëgjuar klithmat e të ëmës e me të shkuar në ambientin tjetër, është përballur me skenën e rëndë. Vajza vrapo duke bërtitur jashtë ambienteve të dyqanit, ndërsa më pas në vendin e ngjarjes mbërriti policia e zjarrfikësit.

Trupi i të ndjerës u dërgua në morg, pasi mbetet ende e paqartë se në çfarë rethanash ka ndodhur aksidenti tragjik.

Vajza e të ndjerës u dërgua në spital në gjendje shoku, për t’u liruar disa orë më vonë, kohë kur u ribashkua me të vëllain 10 vjeçar në shtëpinë e një prej të afërmve në Greqi.

Pronari i dyqanit të mishit u arrestua nga policia me akuzat e vrasjes nga pakujdesia. Protothema shkruan se babai i këtij të fundit, një kasap i njohur në Messolonghi, shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen tragjike të shqiptares.

“Ne ende nuk e dimë, sesi mundi të ndodhë diçka e tillë. Ndjej keqardhje e do të doja të mos kishte ndodhur kurrë”-tha për median greke motra e pronarit të dyqanit të mishit.

Lubjana kishte dy vite që kishte ardhur në Greqi dhe jetonte me dy fëmijët e të ëmën. E ndjera ishte ndarë nga i shoqi në Shqipëri dhe kishte vendosur të vinte në Greqi për punë e jetë më të mirë për fëmijët 18 e 10 vjeçarë.

50 vjeçarja punonte nga mëngjesi në darkë në punë pastrimi nëpër dyqane të ndryshme të Mesolongjit, së bashku me të bijën.