Grushti i shtetit në Niger: Ecowas miraton krijimin e një “force në gadishmëri”, nuk përjashtohet mundësia e një konflikti ushtarak

Pas skadimit të ultimatumit për rivendosjen e demokracisë në Nigerin e kapluar nga grushti shtetit, ECOWAS (Komuniteti ekonomik i shteteve të Afrikës Perëndimore) ka miratuar një ndërhyrje të armatosur në Niger, “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Të paktën kështu u shpreh Presidenti i Bregut të Fildishtë Alassane Ouattara , fill pas takimit të zhvilluar për të diskutuar mbi gjendjen aktuale në Niger, atje ku më 26 korrik Presidenti i zgjedhur Mohamed Bazoum u rrëzua përmes një grushti shteti, drejtuar nga gjenerali Abdourahmane Tchiani.

Shtetet perëndimore të Afrikës do të krijojnë një forcë ushtarake e cila do të qëndrojë në gadishmëri. Presidenti i Nigerisë Bola Tinubu u shpreh se përdorimi i forcës, do të jetë ‘mjeti i fundit’ që do të konsiderohet të përdoret.

Ende nuk ka detaje në lidhje me madhësinë e forcës ushtarake, por Presidenti i Bregut të Fildishtë u shpreh se Ecoëas ka ndërhyrë dhe herë të tjera për ‘rivendosjen e rendit kushtetues’ në tjera shtete afrikane.

“Sot kemi një situatë të ngjashme në Niger dhe kam dëshirë të them se Ecowas nuk mund ta pranojë këtë”-tha Outtara.

Abdel Musash, komisioneri i sigurisë së bllokut (Ecowas), i tha BBC-së se nuk mund të lejonin një juntë që të qëndrojë në pushtet gjatë një periudhe tranzicionale, siç ndodh aktualisht në Burkina Faso e Mali (shtete të drejtuara nga junta ushtarake).

Musash shtoi se junta në Niger nuk ishte e gatshme të kishte kontakt me bllokun, duke i bërë negociatat akoma edhe më të vëshira.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OKB janë shprehur të shqetësuar për gjendjen aktuale të Presidentit Bazoum, i cili aktualisht ndodhet nën arrest shtëpie. Pak para nisjes së mbledhjes së Ecoëas që u mbajt të enjten (dje), klerikët muslimanë në veri të Nigerisë (zonë e cila ndan kufirin me Nigerin) i kërkuan Presidentit nigerian Tinubu që opsioni i forcës ushtarake të mos vihet në tavolinë si zgjidhja e konfliktit.

Por pas mbledhjes, Presidenti i Nigerisë u shpreh se “asnjë opsion nuk është jashtë diskutimeve, përfshi dhe përdorimi i forcës si mjeti i fundit.”

Ndërkohë, drejtuesit e juntës ushtarake në Niger, kanë deklaruar se do të mbrohen kundër çdo ndërhyrje. Aktualisht liderët ushtarakë kanë emëruar një tjetër kabinet qeverisës, duke kundërshtuar kësisoj thirrjet e bllokut perëndimor për rivendosjen në pushtet të Presidentit të zgjedhur.

SHBA-të e Franca kanë baza ushtarake në Niger, të cilat janë përdorur si zona në luftën kundër grupeve xhihadiste në rajonin e Sahel-it afrikan. Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i tha BBC-së më herët këtë javë, se ai beson se grupi mercenar rus “Vagner”, po përfiton nga situata e destabilizuar në Niger.

Burimi: BBC/ Përshtati: FCH.al