“Hajde more babi në shtëpi, se më ka marrë malli”

“-Shiko, -më tha gati duke belbëzuar në dialektin shkodran,-ke me ba takim me familjen!

-Takim?!

-Po, takim.

Nuk di si më erdhi. Ndjeva një tronditje të madhe në shpirt.

-Po kush ka ardhur në takim?

-Nuk e di me siguri, por më duket gruaja me djalin.

Bobo, ç’tronditje e re për zemrën time! Kishte qenë gjithmonë një ëndërr, që nga dita e parë e birucës, t’i shihja dy qeniet që, pas nënës, ishin më të dashurat e jetës sime. Ato ishin për mua si dielli dhe hëna; që zbukuronin “qiellin” tim të jetës

-Ndigjo! Nuk di se ku kanë marrë leje nalt, por mos harro se takimi asht i shkurt. Ti e kupton se takime si kta janë fort të rrallë e të veçantë.

-E kuptoj!-iu përgjigja thatë. Por ai vazhdoi në të tijën:

-Dhe mos i kallxo se je i dënuem me vdekje.

-Gjepura! Pse nuk e ka marrë vesh ime shoqe? Në mos past kund tjetër, e ka marrë vesh prej avokatit.

-Po, besa, njashtu ka me kenë, veç ti mos…

-Zoti kapiten, mos më mëso mua se si të sillem në këtë rast, por po të eci fjala, eja shpejt ta kryejmë këtë punë. Mos e mundo shumë familjen time të presë…

Kapiteni nuk e zgjati më. Dha urdhër të më çojnë në vendin e takimit.

I dola përpara. Një fytyrë e vogël, e qeshur; me syçkat e bukura ngjyrë mjalti….E kisha lënë dy vjet e gjysmë. Tani ishte katër vjeç.

Më pa edhe ai dhe u turr drejt meje gjithë gaz. Unë e rrëmbeva në krahët e mi dhe e pushtova fort-fort, duke e mbytur me të puthura…

-O, sa rroba të bukura që i paske këto të bardhat marinare, xhani i babit! Kur të vijë dimri, këtë radhë do të të blejë babi një palë rroba marinare blu, me pantallona të gjata, të bukura. Mirë?

-Ah, more babi,-ma ktheu vogëlushi im,-rroba kam plot, më ka blerë mami, nuk kam më nevojë, por hajde, more babi, në shtëpi, se më ka marrë malli shumë-shumë për ty!

Unë e di si e përmbajta veten. Fjalët e djalit m’u ngulitën në mendje në një mënyrë të tillë që s’i kam harruar sot e kësaj dite…

Kur u ktheva në birucë në shpirt kisha ende imazhet e dashura të gruas e djalit dhe më kujtoheshin imtësisht e me besnikëri të plotë të gjitha fjalët, deri edhe intonacionet e zërave të tyre… U platita përmbys mbi dërrasat e birucës…dhe, atëherë, më plasi një vaj që s’e kisha provuar që nga koha e fëmijërisë, kur më kishte vdekur im atë.”

……………..

Kjo është një pjesë e historisë së një burri të quajtur Uran Kalakulla, një intelektual që si shumë të tjerë u dënuan nga regjimi komunist i kohës. Urani përballej në vitet ’60 me akuzën e ‘tradhëtisë ndaj atdheut” dhe priste që ta pushkatonin. Biseda e mësipërme tregon momentet kur ai arriti të takojë për fare pak kohë të birin dhe të shoqen. Vendimi për pushkatimin u ndërrua disa muaj më vonë dhe Uran Kalakulla qëndroi për të paktën 21 vite në burg.

Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri i tij “21 vjet burg komunist”