Hapet baza taktike e NATO-s në Kuçovë, në qiell fluturojnë avionët e aleancës e dronët bayraktar

Është inaguruar këtë të hënë baza taktike e NATO-s në Kuçovë. Baza konsiderohet të jetë një pikë mjaft e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe në tërësi rajonit të ballkanit perëndimor, veçanërisht në një kohë kur flitet shpesh e më shpesh mbi rrezikun e përshkallëzimit të luftës me Rusinë.

E ndërtuar në vitet ’50 si një bazë që shenjonte lidhjen me sovjetikët , sot baza e Kuçovës do të shërbejë si një pikë strategjike dhe operacionale për NATO-n dhe mundësinë e saj për të dalë në Detin e Zi.

Kryeministri i vendit Edi Rama si dhe Ministri i Mbrojtjes  Niko Peleshi e vunë theksin pikërisht tek elementi strategjik i bazës ajrore të Kuçovës si dhe faktin se prezenca e NATO-s në Kuçovë, është një ogur i mirë për sigurinë e të gjithë rajonit.

 “Në këtë logjikë baza që inaugurojmë sot është një aset për të gjithë rajonin. Shqipëria do të vijojë përpjekjet e saj për të vendosur në përdorim të NATO-s edhe përdorimin ushtarak të Porto Romanos, që sëbashku me korridorin strategjik VIII i siguron aleancës sonë aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Adriatikut në Detin e Zi. Shpresoj të kemi mbështetjen e vendeve aleate dhe mike në këtë projekt madhor”, tha Ministri i Mbrojtjes.

Në përfundim të ceremonisë në qiell u ngritën dy avionë ‘eurofighter’ të NATO-s si dhe dronët ‘bayraktar’ të blerë së fundi nga Turqia.

Për rehabilitimin e bazës së Kuçovës u deshën 2 vite punime si dhe afro 50 milionë euro investim.