“Hapi dyert për 400,000 refugjatë” BBC për Kukësin: I pari qytet i nominuar për Nobel të Paqes

“Në kulmin e luftës në Kosovë, ky vend me 16 mijë banorë mirëpriti më shumë se 400 mijë refugjatë.  Tani, Kukësi po përdor historinë e tij unike të konfliktit dhe dhembshurisë për të joshur turistët”

Kështu shkruan BBC-ja, e cila i ka kushtuar një artikull bukurive dhe historisë së Kukësit, i vetmi qytet në botë i cili u shpall kandidat për çmimin Nobel të Paqes, 23 vite më parë.

Artikulli nis me historië e një kuksiane, e cila në vitet e luftës së Kosovës ndihmonte gazetarët pranë kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, me qëllim dokumentimin e eksodit masiv të shqiptarëve të Kosovës, nga mizoritë e masakrat e ushtrisë/policisë serbe.

“Lush Alida Ismailaj po ndihmonte një reporter nga Franca për të kaluar kufirin nga Shqipëria në Kosovë, kur një bombë shpërtheu aty pranë, duke lëshuar ngado copëzat e metalit, në rrugën e mbushur me refugjatë që i largoheshin luftës. ‘Kufiri ishte i rrezikshëm’ tha Ismailaj, teksa kujtonte sesi ajo i ndihmoi gazetarët e huaj të dokumentonin arratinë e mbi 400 mijë refugjatëve shqiptarë drejt Kukësit, në kulmin e luftës.

“Kufiri ishte plot mina e bomba, e Kukësi ishte vendi i parë i paqtë ku mund të ndaloje”-shkruan BBC-ja në artikull.

Media britanike kujton se pavarësisht popullatës së vogël të qytetit me 16 mijë banorë, të gjithë kuksianët pritën më shumë se 400 mijë shqiptarë të Kosovës, nëpër shtëpitë e tyre e në kampe të krijuara aty për aty. Në të gjithë botën emri i qytetit të vogël u shkrua në titujt e mediave më të mëdha botërore, kur Kukësi u nominua si kandidat për Nobelin e Paqes.

“Fama zgjati pak. Vetë duke përjetuar një seri me kriza pas rënies së komunizmit në vitin ’92, fill pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe kthimit të refugjatëve, Kukësi përjetoi vetë një eksod të tijin, me 53% të popullatës që u larguan në kërkim të një jete më të mirë jashtë shtetit.

Tani, teksa numrat e vizitorëve në Shqipëri rriten, banorët lokalë si Ismailaj po shpresojnë se turizmi do të mund të ofrojë një incentivë të re që brezat e ardhshëm të qëndrojnë në qytetin e tyre”-shkruan BBC-ja.

Media britanike vë në dukje se tanimë në Kukës ka një aeroport, ndërsa ajo që ofron qyteti vogël është shumëçka… nga pamjet spektakolare të relievit malor, deri tek reliket e epokës komuniste. Banorët po i rikthehen historisë së tyre, për të tërhequr vizitorët në Kukës, që BBC-ja e etiketon si një ndër vendet më pak të njohura në Europë.

“Bujar Kovaci, bën guida turistike si punë me kohë të pjesshme dhe ai di mjaft mirë vështirësitë që u përballuan në kohët e luftës.

“Unë vetë i shpëtova një mine. Jam shumë me fat që jam gjallë”-I thotë Kovaci gazetarit të BBC-së, teksa i tregon se kur ishte 10 vjeç, kishte kapur një minë pa e ditur se çfarë ishte e se më tutje do t’i shpërthente në dorë. Dy javë më vonë, Bujari u zgjua në spital, me njërin sy të verbër dhe njërën dorë e parakrah të këputur. Bujari po krijon  ture për të treguar mbi historinë e kulturën e Kukësit, njëkohësisht gjithashtu dhe natyrën e mrekullueshme përreth qytetit. Përfitimet shkruan BBC-ja, investohen sërish në një shoqatë lokale që ndihmon pikërisht viktimat që u lënduan përgjatë viteve nga minat.

“Kovaci shpreson se nëse ai mund të tërheqë vizitorë, jo vetëm mund të ndihmojë të sprovuarit, por edhe t’i japë një shtysë njerëzve për të qëndruar në Kukës e për të ruajtur kulturën e qytetit.”-thekson BBC-ja.

Tunelet e epokës komuniste, që streçojnë deri në 7 kilometër poshtë këmbëve të qytetit, janë po ashtu një atraksion turistik. Afrim Cenaj, babai i të cilit shërbeu si oficer ushtarak në këto tunele, tanimë ka nisur guida turistike në atë botë të nëndheshme e të harruar.

“Dikur babai im i ruajti këto tunele… tanimë jam unë ai që dua t’i ruaj”-i tha Afrimi gazetarit të BBC-së.

Burimi: BBC Travel/ Përshtati me disa shkurtime: Fch.al