Harta më e detajuar ndonjëherë e planetit Mars

Një hartë e re e Marsit është publikuar së fundmi dhe tregon në detaje të gjithë relievin e planetit të kuq.

Harta u përpilua falë të dhënave të marra nga sonda ‘Hope’ (njohur ndryshe si Al-Amal) dhe puna e shkencëtarëve në Universitetin New York në Abu Dabi dhe Qendra e Shkencës Hapësinore të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Harta tregon në detaje malet, vullkanet, polet dhe të gjitha mbetjet e liqeneve e lumenjve të lashtë që dikur rridhnin mbi planetin Mars (afro 3.5 miliardë vite më parë).

Për të parë në detaje hartat, klikoni këtu:

Disa fakte interesante për planetin e kuq

Marsi është një planet i ftohtë dhe i shkretë. Marsi është sa gjysma e Tokës dhe njihet rëndom si planeti i kuq për shkak të ndryshkut (oksid hekuri) që mbulon të gjithë planetin.

Njëlloj si Toka, Marsi ka stinë, pole me akuj, vullkane, kanione dhe mot. Atmosfera në Mars është fare e hollë dhe më së shumti e përbërë nga dioksidi i karbonit, nitrogjeni dhe argoni.

Në Mars gjen shenja të disa përmbytjeve masive në kohë të lashta, por tanimë uji eksizton nëpër pole në formë akulli. Në disa prej faqeve të kodrave në Mars, ka të dhëna se gjendet ujë i lëngshëm dhe i kripur.

Marsi është planeti që ka vullkanin më të madh në të gjithë sistemin tonë diellor. Vullkani “Olympus Mons” ka një diametër prej afro 624 kilometrash dhe lartësi prej 25 kilometrash.  Vullkani në fjalë nuk është aktiv ashtu si të gjithë vullkanët e tjerë që gjenden në Mars. Lartësia e pazakontë e këtij vullkani, është e mundshme për shkak të gravitetit të planetit, i cili është pak a shumë sa 1/e e gravitetit (forcës së rëndesës) në Tokë.

Marsi ka po ashtu dhe një kanion që nga përmasat është masiv. Fjala është për “Valles Marineris”, kanion që në disa zona është i thellë mbi 7 kilometër. Ndryshe nga Toka, Marsi ka dy satelitë, të quajtur Fobos dhe Deimos. Hëna e quajtur Fobos kalkulohet që pas 30 deri në 50 milionë vite më vonë, të përplaset me vetë planetin e Marsit (për shkak të afërsisë dhe forcës gravitacionale të Marsit).