Helmimi i 50 banorëve në Gjoricë, shkaktar pronari i një HEC-i të vogël: Përzieu ujin e pijshëm me ujërat e zeza

Helmimi i mbi 50 banorëve të fshatit Gjoricë gjatë ditëve të fundit, erdhi si pasojë e veprimeve të paligjshme të një 64 vjeçari, pronar i një HEC-i të vogël në zonë.

Autoritetet kanë njoftuar këtë të hënë procedimin penal të shtetasi me inicialet K.M, i cili kishte instaluar një tub duke bërë kësisoj përzierjen e ujit të pijshëm që shkonte në Gjoricë, me ujërat e zeza.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 64 vjeç, banues në Peshkopi, Dibër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për shkak të montimit të një tubi plastik, nga 64-vjeçari, ujërat e pijshëm të fshatit Gjoricë, ishin përzier me ujërat e zeza të këtij fshati, dhe kjo kishte shkaktuar helmimin nga uji, të disa banorëve të këtij fshati.

Pasi kanë marrë ndihmën mjëkësore, të gjithë banorët janë larguar në banesat e tyre dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë.