Hetimet për vrasjen e jetimit 18 vjeçar në Kosovë… familjarët hapin dyert e mortit për Liridonin

Një sherr për radhën në një berberhane mendohet se ka qenë shkaku që një 18 vjeçar nga Podujeva e Kosovës, të rrihet barbarisht e të ndërrojë jetë disa ditë pas betejës me plagët e shkaktuara nga goditjet me shufra hekuri. Pas 6 ditësh vuajtje në repartin intensiv në Prishtinë, Liridon Fejzullahu dha frymën e fundit.

Të dielën familjarët, të afërm e dhjetëra qytetarë të Kosovës, e përcollën jetimin për në banesën e fundit.

Së fundmi në hetimet për vrasjen e të riut është përfshirë dhe inspektoriati policor i Kosovës. Këta të fundit kanë nisur një hetim, në lidhje me veprimet e raportimin fillestar të ngjarjes nga ana e policisë. Disa orë pas ngjarjes, rasti u përshkrua si një tentativë për vrasje ku u përdorën thika nga dy shtetas të mitur, një 16 vjeçar dhe një 17 vjeçar.

Por ndryshe treguan pamjet e filmuara nga një kamera sigurie, të publikuara të dielën. Aty (shiko videon e mëposhtme, publikuar nga Indeksonline) dallohej se 18 vjeçari ishte goditur me makinë, ndërsa një prej agresorëve ka nisur ta godasë disa herë në kokë të ndjerin, me një shufër hekuri.

Zëdhënësi i Inspektoriatit policor të Kosovës Arbër Beka, i tha Express-it të hënën se ka nisur hetimi mbi veprimet e policisë, e cila në një njoftim të dytë e cilësoi vdekjen e Liridonit, si ‘vrasje e rëndë’.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, shtoi ai.

Lulzimi ndërroi jetë të shtunën pasi nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve të marra në kokë. Shefi i repartit intensiv në QKUK Shaqir Uka, u shpreh se tek viktima, nuk u gjet asnjë shenjë e ndonjë plage të shkaktuar nga mjete prerëse.

 “Pacienti është sjellë në njësinë e mjekimit intensiv qendror pas intervenimit kirurgjik në sallën e qendrës emergjente në urgjencë, për shkak të lëndimeve që ka pësuar në regjionin e kokës dhe ato si pasojë e gjakderdhjes që ka pësu në regjionin e kokës si pasojë e goditjeve. Nuk kemi të evidentuar, as në raportin e Qendrës Emergjente, por as ne këtu nuk kemi pa që ka pasë plagë therëse”, tha Uka.

Në lidhje me ngjarjen tragjike, Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i viktimës, rrëfeu se familjarët e dy adoleshentëve të akuzuar për vrasjen e Liridonit, i kanë dërguar njerëz para se 18 vjeçari të varrosej. Madje gjyshi i njërit prej tyre, tregoi Rrahimi, i ka thënë se nipi i tij ishte qëlluar me thikë.

 “Të dyshuarit e kanë çu dikë te unë. Më shumë po ma bëjnë qeto fjalë se që kam edhe tjetër mërzi. Familja e atij Llaushës, më ka ardhë babëgjyshi në shtëpi edhe më ka thënë që edhe djali ynë është i therrur. Nuk është e vërtetë. I ke kamerat në Polici. I shfaqim këto pas ceremonisë, Policia kur t’i kryen të vetat edhe i shihni vetë. S’ka aty të therrur. Këto fjalë po ma bëjnë… Ky tjetri, Dabinovci, më ka çu njerëz. Më ka thënë që jam në gjendje me i çu për Turqi nëse ka nevojë me i ndihmu. Po ma rrehë, po ma alivanosë e po ma shëndoshë… Nuk kam nevojë për paret tua, t’u rritë nera… Kanë lypë me ardhë në varrim. S’i kam leju. Jo për diçka, por nuk po mund të bëjë ballë. Shkurt, shqip”, tha ai.

Xhaxhai i Lulzimit thotë se e gjithë ngjarja ka ardhur si pasojë e një përplasje banale për radhën tek berberi. Fjalët i kanë lënë vendin një sherri të momentit, ndërsa më tutje, të nesërmen, ndodhi krimi i rëndë.

 “I ka lanë me u qethë krejt, janë rrokë me krahë në derë, si shqiptarët që e kanë zakon me e rreh veten naltë ‘pse më rroke, pse të rroka’. Edhe ka ardhë prej shpie. Ata që e kanë rrahë djalin, më së pari e kanë përcjellë me kerr, e kanë shkelë me kerr. Të nesërmen, ditë e diel, në mesditë, në ora 12:10. E kanë përcjellë me kerr, e kanë sulmu me kerr, janë kamerat, i ka Policia. Kur e kanë shkelë, e kanë rrëzu djalin, e atëherë i kanë hipë me shufra kokës. Asnjë shenjë në trup s’e ka djali, pos në krye”- tha xhaxhai i tij.

Dy të rinjtë që rrahën për vdekje 18 vjeçarin ndodhen në qelitë e paraburgimit. Sipas asaj që kanë raportuar mediat e Kosovës, dy të miturit rezultojnë të jenë djem të dy biznesmenëve. Insajderi mësoi se E. Kadriu (16 vjeç), i cili në video duket teksa godet me shufër hekuri jetimin e ndjerë, është djalë i një sipërmarrësi në dhënien me qira të makinave.

17 vjeçari A.Abdullahu, personi tjetër që goditi 18 vjeçarin e ndjerë, rezulton të jetë djali i një biznesmeni që zotëron një ndërmarrje ‘security’.

E teksa prokuroria vijon ende hetimet, të afërmit e Lulzimit kanë hapur dyert e mortit të hënën. 18 vjeçari në moshën 4 vjeçare humbi njërin prind, ndërsa pak më vonë edhe tjetrin, duke mbetur kështu jetim. Lulzimi kishte një motër dhe mundohej të punonte për të nxjerrë para për veten e të.

 “S’ka person që ecë me dy këmbë për rrugë të Zotit që mund ta thotë një fjalë të ligë për të”-deklaronte xhaxhai i Lulzimit, i cili ka një kërkesë të vetme… drejtësinë.