Në këtë botë të përkoshme, nuk ka njeri më të shtrenjtë sesa nëna. Fjala nënë ka një peshë që askush nuk mundet ta zëvendësojë.
Mbrëmjen e të premtes në emisionin “Për Shqiptarët” erdhi një nënë, historia e të cilës tregon më së miri se çfarë është të sjellësh në botë një jetë, ta dashurosh pa kushte dhe të sakrifikosh gjithçka për fëmijën.
Elizabeta mbërriti në studion e emisionit së bashku me bashkëshortin, Eugesin. Burrë e grua u njohën në universitet. Dashuria e tyre u kurorëzua vite më vonë. Famlilja e tyre u shtua me ardhjen e djalit, Argerit. 6 vite më pas Elizabeta e Eugesi vendosën të shtojnë familjen dhe u gëzuan dyfish kur mësuan se prisnin binjakë. Por shumë shpejt gëzimi i la vendin trishtimit e më pas lotëve. Shtatzania e Elizabetës nisi të ketë probleme. Në muajin e shtatë, njërës prej foshnjave i pushoi së rrahuri zemra. Mjekët i thanë nënës se nëse do të mbante foshnjen tjetër, do të rrezikonte jetën e saj. Kjo nënë zgjohi pa hezituar të rrezikojë jetën, vetëm në këmbim të shanseve për të sjellë djalin në jetë.
Elizabeta: Ka qenë një luftë e madhe për mua, një luftë psikologjike e fizike. Ndjenja e nënës, situata dhe dëshira e madhe se pavarësisht se çfarë kishte ndodhur, unë duhet ta çoja deri në fund për Boranin. Ishte një forcë e mbinatyrshme edhe pse unë rrezikoja jetën, që më dha guxim për t’ja dalë. Ne me Borin ia dolëm.
Eugesi: T’ju them të drejtën, situata ka qenë e vështirë. Jam përpjekur me aq sa kam patur mundësi që t’ja lehtësoja vështirësitë Elit (Elizabetës). Në atë kohë ajo kishte rrezik të madh për jetën për shkak të degradimit të foshnjes së pajetë. Ne kemi besuar, kemi qenë me besimin në Zot se fëmija tjetër (Borani), duhet të vijë në jetë, duhet të jetë me ne. Për asnjë moment nuk e kemi menduar dorëzimin, të bëhemi egoistë.
Bori erdhi në jetë i shëndetshëm, por shumë shpejt Elizabeta e Eugesi kuptuan se diçka nuk po shkonte. Borani u diagnostikua me një sindromë që i vështirësonte lëvizjen normale fizike. Pavarësisht kësaj sprove të madhe, sot Bori është 9 vjeç. Nëna e babai kanë bërë gjithçka kanë patur mundësi që të birin ta integrojnë, kurojnë e ndjekin në çdo hap.
Elizabeta: Bori është luftarak dhe vijon të jetë luftarak. Është një fëmijë, që në momentin e parë kur ti e shikon, të buzëqesh. Të fal dashuri, është aq i ëmbël. Unë shpesh e thërras akullore… (buzëqesh). Është një fëmijë që vërtet na ka bërë të shikojmë jetën me një sy tjetër.
Eugesi: Ne i vlerësojmë edhe gjërat e vogla. Unë uroj që rasti si ky i joni, të mos ketë njeri, por ka prindër që ka në pozita si tonat. I drejtohem me mesazh këtyre prindërve, të mos dorëzohen. Të vlerësojnë dhe gjërat e vogla, ato pak avancime, qoftë një buzëqeshje, një fjalë më shumë.
Elizabeta: Vetë sindroma që e ka prekur Borin, i bën që muskujt e tij të brendshëm të lëshohen. Pavarësisht, Bori mendërisht ka qenë i zhvilluar. Pavarësisht se ai nuk mundej dot të fliste, ai sërish reagonte. Ndodhte që ne të prisnim që ai të na kthejë përgjigje, por kjo nuk na bënte që ne të mërziteshim. Kjo na ka bërë që të jemi të duruar në shumë gjëra. Bori na e ka skalitur durimin.
Bori sivjet është në klasë të dytë. I jam mirënjohëse prindërve të fëmijëve të tjerë… (qan). Bori e do shkollën, i do shokët. Kur hyn në klasë… (qan) shokët e përshëndesin, e mirëpresin, e bëjnë pjesë të tyre. E kanë ndihmuar shumë në zhvillimin psiko-social të tij, sepse ka qenë i rrethuar me fëmijët, të njihet me librat.
Elvisi: Ajo që desha të theksoj, çfarë është nëna. Nëna është… pas Zotit, vjen nëna. Ne jemi prindër, por babai vjen pas nënës. Thonë që, çdo dashuri vjen nëpërmjet shikimit, bisedës, diçkaje të mirë. Thuhet që, e vetmja dashuri që, e don dikush dikënd pa e parë, është dashuria e nënës për fëmijën që ka në barkun e saj. Ky instikt që ka instaluar Krijuesi, e ka bërë Elizabetën që të japi forca vetes që Bori të jetë sot midis nesh.
Shkenca ecën përpara. Ju keni ardhur tek dera e madhe e shqiptarëve, që ne të bashkohemi tani për Borin dhe të shikojmë se çfarë mund të përmirësojmë.
Elizabeta tregon se për 4 vite me radhë, ajo ka qëndruar në krah të të birit. La punën dhe u përkujdes plotësisht për të birin. Por vështirësitë dhe nevoja për të punuar për sigurimin e terapive e të birit, e detyruan Elizabetën të dalë sërish në punë. Ishte gjyshja e Borit, ajo që mori përgjegjësinë për ta mbajtur djalin derisa vijnë prindërit.
Elvisi: Është sprovë e madhe të rritësh një fëmijë në këto kondita. Zoti i ka dhënë gruas dy cilësi të mëdha, ka shumë emocion dhe shumë dashuri brenda. Prandaj gruaja mund të bëhet dy herë nënë, si gjyshja. Ajo gjyshe është bërë nënë për herë të dytë. Shumica kanë rritur fëmijën me të gjitha kushtet normale e sërish është sprovë më vete. Imagjinoje një mësuese që lë punën dhe përkushtohet mbi 4 vite për të rritur Borin. Meritojnë një duartrokitje.
Pavarësisht punës dhe sakrificave të mëdha të prindërve dhe gjyshes, Bori ka nevojë për terapi e trajtime të cilat kushtojnë. Një trajtim i nevojshëm është i mundur në spitalin Bambino Gesu, në mënyrë që 9 vjeçari të rikuperojë edhe më tutje aftësitë e tij fizike. Por familja nuk i ka mundësitë ekonomike për të përballuar kostot.
Eugesi: Neve mjekët na kanë thënë të vijojmë me terapitë, fizioterapinë, terapinë e zhvillimit dhe logopedinë, terapi që ne i kemi ndjekur privatisht me mundësitë tona që nga mosha 1 vjeç e deri më tani. Tani ne jemi në një fazë, me atë informacion që kemi, sepse tani djalit si i thonë, i ‘piqen’ kockat. Ne duam t’i afrohemi sa më shumë me përmirësim pjesës fizike, sepse djali është mirë mendërisht. Ne kemi kontaktuar dhe me spitalin Bambino Gesu dhe ata na kanë drejtuar tek Fondacioni Firdeus, pasi shpenzimet atje janë të larta.
Elvisi: Bambino Gesu është e vërtetë, që është spitali i dytë në europë për fëmijë. Ata kanë katedër shkencore dhe merren me zbulimet e fundit. Tani Bori ka nevojë, për rehabilitim, ekzaminim dhe kurim. Unë mund ta ndaj me ju, mund t’ju them, që të trija këto, Fondacioni Firdeus do t’i bëjë për Borin. E dyta, dua t’ju falenderoj, që ndatë me ne mesazhet që ju dhatë për njerëzit. Ka çifte që ndahen e zihen kot, ndërsa ju dhatë një mesazh kuptimplotë. Ju e keni patur 10fish vështirësinë, dhe dhatë mesazhe të shkëlqyeshme. Ne do të përkushtohemi për Borin. Bori është fëmija juaj, por tani ai është bërë fëmija i të gjithë shqiptarëve.